Partia populiste Alternativa për Gjermaninë mund të ndikojë negativisht në ekonominë europiane. Ekspertët parashikojnë se kancelarja Angela Merkel do ta ketë të vështirë të implementojë vizionin për një eurozonë të reformuar, me opozitën e fortë që do të ketë në parlament nga kjo parti.
Të tjerë analistë argumentojnë se situata nuk është shqetësuese pasi populizmi nuk është zgjidhja për problemet e Europës.
Rezultati surprizues i arritur në zgjedhjet federale gjermane nga Alternativa për Gjermaninë mund të ushtrojë një ndikim të dëmshëm në ekonominë e Europës. Bashkimi Europian po ndjek reforma që synojnë zgjerimin e integrimit ekonomik dhe monetar, një qasje e udhëhequr nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe e mbështetur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Sidoqoftë, planet e dy liderëve janë penguar nga performanca jobindëse e Merkel në zgjedhjet e së dielës. Analistët thonë se për kancelaren do të bëhet më i vështirë implementimi i politikave të qendrueshme, teksa opozita do të jetë kundër saj në Bundestag. Këta faktorë mund të ndikojnë në vizionin e Gjermanisë dhe Francës për projektin e eurozonës.
Zgjedhjet e së dielës sollën një rritje të mbështetjes për partinë Alternativa për Gjermaninë, që kundërshton haptazi emigracionin dhe përfshirjen në eurozonë. Totali votave të marra ka siguruar hyrjen në parlament të një partie populiste për herë të parë në 70 vite. Përtej performancës së dobët e Merkel, edhe popullariteti në rënie i presidentit Macron është një faktor që kërcënon reformat në eurozonë.
Sidoqoftë, jo të gjithë janë të shqetësuar për të ardhmen e Bashkimit Europian pas zgjedhjeve në Gjermani dhe situatës së krijuar në Francë. Disa ekspertë argumentojnë se pavarësisht forcës, populizmi nuk mund të sjellë një zgjidhje për problemet e Europës dhe kancelarja Merkel vijon të mbetet një burim stabiliteti dhe forcë integrimi.