Në një kohë kur industria globale e kinemasë vazhdon të përballet me rënien e numrit të shikuesve, rikthimi i Christopher Nolan me adaptimin e “Odiseas” është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit. Për kritikun e filmit Erion Bashi, suksesi i filmit nuk matet vetëm me polemikat që e shoqëruan para premierës, por edhe me faktin se Nolan arriti të rikthejë publikun në kinema. “Odiseja” është, sipas tij, një nga rastet e rralla kur sallat janë mbushur sërish dhe përvoja IMAX është bërë pjesë e vetë identitetit të filmit.
Megjithatë, pikërisht aty ku filmi arrin kulmin estetik, Bashi sheh edhe kontradiktën e tij më të madhe. Ai e përshkruan përvojën vizuale si të jashtëzakonshme, duke veçuar peizazhet, realizimin praktik të efekteve speciale, anijet, kostumografinë dhe muzikën, deri në pikën sa e quan një nga filmat më të bukur që ka parë ndonjëherë. Por, sipas tij, ky nivel mjeshtërie shoqërohet me një kast që nuk i përgjigjet të njëjtit standard artistik.
Në analizën e tij, ky nuk është thjesht një problem përzgjedhjeje aktorësh. Bashi argumenton se një projekt me një kosto financiare kaq të lartë "nuk mund të konsiderohet më vetëm vizioni i një regjisori." Përkundrazi, bëhet produkt i një strukture të tërë producentësh, marketingu dhe interesash korporative, ku arti detyrohet të negociojë në mënyrë të vazhdueshme me biznesin. Për këtë arsye, ai e interpreton përfshirjen e figurave si Elliot Page, Lupita Nyong'o apo Travis Scott si pjesë të një strategjie më të gjerë marketingu dhe jo domosdoshmërisht si zgjedhjet më bindëse artistike.
Bashi thekson se kritika e tij nuk lidhet me jetën personale të aktorëve, por me koherencën e botës që filmi përpiqet të ndërtojë. Duke marrë si shembull Elliot Page, ai argumenton se një personazh që paraqitet si veteran i Luftës së Trojës duhet të jetë bindës edhe fizikisht, pasi vetë filmi investon kaq shumë në krijimin e një bote tejet realiste përmes kostumeve dhe seteve, ndërsa heq dorë prej këtij hiper realizmi në casting.
Përtej debatit mbi kastin, Bashi e sheh devijimin më të madh të Nolan nga Homeri tek vetë figura e Odiseut. Në traditën klasike, Odiseu është një mjeshtër dinak i mashtrimit dhe njeriu i Kalit të Trojës. Por në versionin e Nolan, ai shndërrohet në një veteran të traumatizuar nga lufta, i cili dyshon vazhdimisht nëse e meriton të rikthehet në Itakë. Sipas Bashit, ky është një reinterpretim interesant, por jo ai që do të mbijetojë në kujtesën kulturore. Për të, Odiseu do të vazhdojë të identifikohet me dinakërinë dhe jo me pendesën, sepse ky është imazhi që ka mbijetuar për gati tre mijë vjet.
Një nga aspektet që ai vlerëson më shumë është mënyra se si filmi trajton konceptin e “Popujve të Detit”. Sipas interpretimit të tij, Nolan sugjeron se historia shkruhet gjithmonë nga fituesit dhe se qytetërimet kanë prirjen ta quajnë dhunën e tyre “civilizim”, ndërsa atë të kundërshtarëve “barbari”. Për Bashin, ky është një nga mesazhet më të forta filozofike të filmit dhe një reflektim mbi mënyrën se si ndërtohen mitet historike.
Edhe fundi i filmit, i ndërtuar mbi shkeljen e ligjit të Zeusit dhe parimit të mikpritjes, interpretohet prej tij si një metaforë për qytetërimet që shemben jo sepse pushtohen nga barbarët, por sepse tradhtojnë vetë parimet mbi të cilat janë ngritur. Pikërisht këtu ai sheh paradoksin më të madh të “Odiseas”: një film që mbron idenë e ruajtjes së traditës dhe të rendit moral, ndërsa në të njëjtën kohë ndërton një kast që, sipas tij, është produkt i logjikës së marketingut bashkëkohor.