Mbrëmjen e djeshme, ish-kreu i SHIK-ut në qytetin e Beratit në vitet 1993- 1996, Artan Dauti u sulmua barbarisht nga dy persona ende të paidentifikuar, sulm pas të cilit u detyrua të marrë ndihmë mjekësore.
Pa kaluar ende 24 orë nga sulmi, e ëma e tij, Liri Dauti njofton se ai është larguar nga Shqipëria.
Ajo thotë se sulmin e lidh vetëm me detyrën që i biri ka ushtruar në të shkuarën, pasi në të tashmen ai nuk ka asnjë konflikt.
“Djali u sulmua për shkak të punës që bënte. Artani nuk ka pasur asnjë konflikt tjetër. U largua sot në Itali, pa mbushur 24-orë nga ngjarja”,- thotë Liri Dauti.
Sipas saj, shkak për vizitën e tij në Shqipëri ishte bërë gjendja e saj shëndetësore. “Djali erdhi të më vizitonte pasi jam e sëmurë, po s’e lanë të qetë”,- tha nëna ndër të tjera.
Policia e Beratit sakaq nuk ka ende asnjë emër apo të dyshuar për sulmin e mbrëmshëm.
“Më goditën sapo zbrita nga makina, dyshoj që ishin dy persona”, – ka thënë ai në dëshminë e parë për policinë nga shtrati i spitalit.