Partizani është ekipi më popullor në Shqipëri dhe në çdo kohë merr vëmendjen e opinionit futbolldashës në vend, kur është mirë dhe ndoshta më shumë kur është keq. Fillimi i sezonit aktual është shumë larg pritshmërive dhe disktutimet janë nga më të ndryshmet për përgjegjësit e kësaj situate. Më së shumti flitet për një merkato të dobët dhe për një pamundësi të stafit italian, drejtues dhe teknik, për ta administruar si duhet situatën në skuadrën e kuqe.
Luan Pinari, një ish-futbollist i Partizanit, Dinamos e Tiranës, por edhe i Kombëtares, aktualisht trajner me moshat dhe specialist futbolli, në një intervistë ekskluzive për “VIP SPORT” flet për problematikën e të kuqve. Ai ka ndjekur të gjitha ndeshjet e deritanishme dhe gjykon se fajtorë nuk mund të jetë vetëm një palë apo një tjetër.
Pinari thekson se duhet bashkëpunim nga të gjithë faktorët, sidomos lojtarë-staf teknik, që të kuqtë të kenë në fushë dëshirën që u mungon, po ashtu edhe karizmën e fanellës që mbajnë veshur. Një mendim specialisti kryeqytetas jep edhe për humbjen e Kombëtares në Spanjë dhe Tiranën. Ja intervista e tij e plotë:
Luan, patjetër që e keni ndjekur Partizanin në këto javë të para. Çfarë nuk shkon te ky ekip, që po paraqitet kaq dobët dhe qëndron në vendin e fundit?
Po, e kam ndjekur Partizanin dhe më vjen sinqerisht shumë keq që ndodhet në këto pozita. Nuk pritej aspak një paraqitje e tillë dhe të gjithë janë të zhgënjyer. Në këtë paraqitje të dobët mund të ketë shumë faktorë që ndikojnë, sepse është e habitshme të mos fitosh të paktën ndeshjet me Laçin dhe Partizanin.
Shumë specialistë bëjnë me përgjëgjësi stafi italian të Partizanit, pasi ndoshta nuk e njeh mirë realitetin në futbollin shqiptar…
Stafi italian i Partizanit mund të ketë përgjegjësitë e veta. Eshtë e vërtet që ky staf nuk e njeh mirë futbollin tonë dhe për këtë duhet të ndihmohet nga ekipi, nga lojtarët shqiptarë me më shumë përvojë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Dua të them se duhet të ketë një bashkëpunim nga të gjithë, që Partizani të jetë në atë nivel që të gjithë presim. Personalisht, ka diçka që më bën përshtypje dhe që është shqetësuese në këtë situatë.
Çfarë?
Në katër ndeshjet e Partizanit në kampionat nuk kam parë dëshirë nga ekipi në fushë. Ky është një problem i madh, sepse një ndeshje nuk mund ta fitosh kurrë pa dëshirën për të laujtur dhe për të dhënë më të mirën në fushë, sado kualitet të kesh në ekip. Patjetër që kanë përgjegjësi lojtarët. I kthehem asaj që thashë në fillim. Lojtarët me më shumë përvojë duhet të kenë një bashkëpunim të ngushtë edhe me stafin italian dhe të bëjnë të qartë edhe peshën e fanellës së Partizanit. Partizanit i ka munguar në fushë karizma e fanellës së kuqe. E riktheksoj se duhet të ketë bashkëpunim staf-lojtarë-drejtues. Eshtë e thjeshtë: trajnerët dhe lojtarët e ardhur në merkato kanë tashmë një kontratë dhe deri në janar apo në fund te sezonit, do të jenë te Partizani. Nuk është se zgjidhet problemi me ikjen e dikujt, zgjidhet duke pasur bashkëpunim nga të gjithë që rezultatet të jenë sa më të mira dhe ekipi të kalojë edhe ngërçin psikologjik të këtij fillimi të dobët.
Ju mendoni se Partizani do të kthehet si pretendent për titullin?
Kam besim se situata do të ndryshojë, sigurisht, nëse të gjithë do të marrin përsipër përgjegjësitë dhe do të mundohen të bëjmë më të mirën për fanellën e Partizanit.
Mund të na jepni një mendim për Tiranën, me të cilën gjithashtu keni luajtur?
Tiranën e shoh në rrugë të mbarë sa i takon kthimit në Superiore. Besoj se është një objektiv që 100% do të arrihet, por një gjykim të saktë për Tiranën do ta japim, pasi ajo të jetë bërë pjesë e elitës. Kategoria Superiore ka nevojë për Tiranën, sepse edhe rivaliteti për titullin kampion, kur është edhe Tirana në mes, është më i fortë dhe kampionati është më i bukur. Për këtë besoj se janë dakord të gjithë. Tani për tani, më duket në rrugën e duhur, çështja është se çfarë do të bëjë Tirana në Superiore.
Po për ndeshjen e Kombëtares në Spanjë, ku humbëm 3-0, çfarë mendimi keni Luan, pasi shumë kritika ka pasur për trajnerin Panuçi?
Kritikat janë normale dhe aq më tepër kur humbet. Për mendimin tim, trajneri në atë ndeshje mori përsipër rrezikun dhe aplikoi një skemë të re, duke u dhënë besim edhe lojtarëve të rinj. Sigurisht që ishte i ndërgjegjshëm për këtë risk. Ndryshoi skema në pjesën e dytë, kur luajtëm si zakonisht dhe nuk pësuam gol tjetër. Nuk është se po të luanim kështu që në fillim, nuk do të kishim humbur. Thjesht do të kishim bërë rezistencë më të fortë. Por pjesë e punës së një trajneri është edhe risku. U dha besimin lojtarëve si Balliu dhe Memolla dhe kërkoi të mbrohej me 5 lojtarë, por gjërat nuk shkuan siç ai kishte menduar. Nuk mund ta gjykojmë shumë atë ndeshje, sepse Spanja është një superfuqi. Të shohim çfarë do të bëjmë me Italinë.