Një penallti e Paulo Dibala, e neutralizuar nga Etrit Berisha, frenoi ecurinë perfekte të Juventusit në kampionatin e Serisë A duke treguar se bardhezinjtë nuk janë të pandalshëm siç mendohej. Portieri shqiptar, në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, ka treguar se ai moment e ka kthyer në idhullin e shumë tifozëve shqiptarë të cilët ndjekin Serinë A.
“Të them të drejtën nuk është se bëra ndonjë gjë ndryshe nga e kaluara, kur kam pritur penallti të tjera. Dibala është një fenomen, por unë kisha intuitën për të gjetur se nga do të gjuante. Më shumë se në aspektin personal, jam i lumtur që kam ndihmuar skuadrën për të fituar një pikë të rëndësishme dhe mëse të merituar për mënyrën se si luajtëm.
Si hero kombëtar në Shqipëri pas asaj penalltie? E pranoj se në Shqipëri e shohin shumë Serinë A dhe kam shumë miq që janë tifozë të Juventusit, Milanit, Interit apo edhe Napolit. Sidomos këta të fundit më kanë falënderuar pasi e kanë kaluar periudhën e pushimit të kombëtareve si kryesues në klasifikim. Ishin shumë të lumtur”, tha Berisha.
Portieri ka fituar një sfidë personale ndaj Çiro Imobiles në Kombëtare, duke ndalur çdo gjuajtje të sulmuesit të Lacios në ndeshjen e të hënës. Berisha do të jetë përsëri përballë tij në fundjavë, në duelin mes Atalantës dhe Lacios. “Këtë herë më shkoi gjithçka mirë mua, por ai mbetet një sulmues i madh, një nga më të mirët në Serinë A”, theksoi portieri i përfaqësueses shqiptare.
Sa i përket ndeshjes me Kombëtaren, Berisha ka treguar bindjen e tij se ndryshimin mes ekipeve e bëri vetëm eksperienca më e madhe e palës italiane. “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe përballja ishte shumë e ekuilibruar. Të kaltrit fituan vetëm sepse kanë elementë më ekspertë që kanë administruar më mirë momentet delikate të ndeshjes.
Sipas meje, Italia do të shkojë në Botëror, ka lojtarë me vlerë dhe nuk do të gabojnë në play-off. Në futboll, detajet bëjnë ndryshimin dhe nëse ke njerëz si Bufon, Kielini, Barzalji, De Rosi dhe të tjerë, nisesh në avantazh”, tha Berisha.