Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ndonëse ishte i kënaqur për fitoren e radhës të skuadrës së tij, kishte pakënaqësi sa u përket disa minutave ku ekipi u shpërqendrua përballë Laçit duke vënë në diskutim tri pikët. Për “SuperSport” ai zbuloi se ndërrimi i Osmanit ishte i detyruar, ndërsa tani kishte frikë edhe për nj dëmtim të mundshëm të Soue.
Për vuajtjen e minutave të fundit
“Duhet të jemi më efikas në situata që krijohen para portës, sidomos me ekipe që mbrohen fort në gjysmëfushën e tyre, ajo që më shqetësoi nuk është fakti që nuk luajtëm mirë. Në pjesën e parë nuk na goditën në portë dhe ne kishim raste. Por më shqetësoi fakti që me këtë lloj kontingjenti lojtarësh nuk duhet të na prishë rrjedhën logjike pësimi i një goli, se ka situata të ndryshme në lojë. Kështu i bëjmë dëm vetes dhe i japim mundësi kundërshtarit”.
Mungesa e golit nga sulmuesit
“Sulmuesit maten me gola apo pasime, por e rëndësishme është që sulmuesit tanë dalin në zonë, me veprime individuale apo mbështetje. Duhet që të punojmë më shumë për finalizimin se çdo lloj goli me kundërshtarë të tillë që vijnë të mbrohen, i jep një bonus psikologjik ekipit për të dalë në lojën e tij. Ndërprerja na shërbeu, se gjetëm disa energji të humbura në periudhën me ngjeshje të ndjeshme të ndeshjeve. Pamë që nuk kemi ende ritmin e duhur, duhet ta gjejmë me Lushnjën, për të vazhduar performancën e Europës dhe javëve të para të kampionatit”.
Gjendja e Osmanit dhe vuajtjet në qendër të mbrojtjes
“Osmani nuk e di se çfarë dëmtimi ka, ai kishte probleme në pulpë dhe ishte ndërrim i detyruar. Ndërsa për mbrojtjen kishim probleme në qendër, humbëm shkallëzimin në mesfushë dhe i krijuam kundërshtarit mundësi të na rrezikonte”.
Për motivimin e Skënderbeut
“Nuk kam qejf ta pranoj që lojtarët e mi nuk e vlerësojnë njëlloj çdo kundërshtar, se do të ishte problem. Nuk mund të heq paralele me ndeshjen ndaj Kamzës dhe sot, se atje vinim pas një ndeshje impenjative në Kiev, ndërsa sot pas një pushimi në momentin e duhur. Me ndryshimet e shumta, duhet koha e duhur që ekipi të shprehet si me Kukësin e Partizanin. Nuk dua të besoj që lojtarët nuk japin maksimumin me kundërshtarë që nuk janë rivalët tanë në luftën për titull”.
Aktivizimi i vazhdueshëm i Soue
“Edhe ne duam t’i japim kohë të fitojë energji, me ndonjë pushim të mundshëm. Por mungesa e Nespor, që po bën terapi, ka bërë që Soue ta kemi gjithë kohës në fushë. Nëse do të ishte Nespor, do të kishim bërë një rotacion. Ndërkaq, kemi probleme edhe me krahët, ndaj Xhjemsin e kemi kaluar në krah. Kjo bën që Soue të jetë gjithmonë, shpresojmë të mos ketë ndonjë dëmtim”.
Kurse trajneri i Laçit Gentian Mezani u shpreh:
“Ka keqardhje për penalltinë e cila do të na jepte mundësinë të merrnim një pikë. Skënderbeu ka pasur raste por ne kemi bërë lojën tonë. Skuadra u soll mirë në të dyja faza. Normalisht kemi lënë hapësira, sepse Skënderbeu ka lojtarë cilësor. Patëm fat se nuk pësuam shumë gola. Duhet ta pranojmë këtë rezultat.”
Problemet në mbrojtje
“Unë mendoj avash avash kjo gjë do të zgjidhet. Nuk është se jemi aq keq në mbrojtje. Qaqi vjen nga dëmtimi. Mendoj me kalimin e ndeshjes do jemi më mirë. Fangaj është lojtar i ri që ka bërë një ndeshje të mirë. I ka zbatuar në përpikëri detyrat. Kemi punë dhe do mundohet të bëjmë më të mirën.”
Ndeshja e ardhshme me Flamurtarin
“Ne do të bëjmë të pamundurën sepse është një ndeshje brenda dhe nuk duhet të lemë pikë. Edhe ndaj Skënderbeut në Laç do të kërkojmë pikë. Le të shpresojmë te më e mira. Nuk ka hakmarrje është thjesht një ndeshje radhe.”