Kufizohet autonomia e Katalonjës

21 Tetor 2017, 09:04Bota TEMA

Nga Barbara Wesel

Ashtu sikurse pritej qeveria qendrore spanjolle e vuri në jetë kërcënimin duke vënë në veprin nenin 155 të kushtetutës, përmes të cilit autonomia e Katalonjës ose mund të kufizohet dukshëm ose mund të shfuqizohet tërësisht. Gjendja është përshkallëzuar në atë masë, sa kryeministri duhej të vepronte. Ai ishte i vendosur të rikthente ligjin dhe rendin. Por nga ana tjetër Barcelona nuk është e gatshme që të tërheqë të ashtuquajturën „shpallje të pavarësisë” nga udhëheqësi i katalonjasve Puigdemont. Eshtë si një karambolazh masiv në mjegull në autostradë.

Një dështim absurd politik

Mjegulla është në këtë rast e natyrës politike. Ajo që po përjetojmë në Spanjë, është një shkatërrim i plotë i artit të shtetit. Mariano Rajoy ka humbur instiktin politik dhe sillet si një jurist, të cilit i intereson vetëm shifra dhe jo kuptimi i një ligji. Si kryeministër atij i mungon fleksibiliteti dhe inteligjenca emocionale. Ai duhej ta kishte parandaluar prej muajsh, që konflikti të përshkallëzohej në këto përmasa duke marrë një udhë pa krye. Represionet, si arrestimi i udhëheqësve të pavarësisë, bën që, ndjenjat të nxiten edhe më shumë dhe që lëvizja t‘i forocojë edhe më shumë radhët e veta.

Por edhe qeveria rajonale katalonjase sillet po kaq në mënyrë absurde: e nxitur prej ideologjisë, me kokëfortësi e ҁ’është më e keqja në mënyrë të papërgjegjshme.  Kjo trupë në Barcelonë të kujton fatalisht një parlament studentësh: fjalë të zjarrta, vendime heroike dhe askush nuk flet për pasojat. Luftëtarëve të pavarësisë duket sikur nuk u bëjnë përshtypje firmat që po largohen dhe dobësimi i rritjes ekonomike.  As rënia e numrit të turistëve nuk u bën përshtypje atyre. Çdo sakrificë duket të jetë e drejtë për ҁështjen e madhe.

Politikë identiteti dhe luftë për pushtet

Por ҁ’është ky nacionalizëm për të cilin ndërtohen barrikada? Nga njëra anë bëhet fjalë për një politikë identiteti, ashtu siҁ po përhapet në mbarë botën: e fokusuar tek izolimi dhe arroganca kundrejt fqinjëve. Kjo ushqehet prej një populizmi, që në mënyrë virtuoze i ysht ndjenjat, ushtron një propagandë të rafinuar dhe manipulon mjehstërisht përmes rrjeteve sociale.

Pas kësaj qendron edhe vullneti banal për pushtetin i aktorëve në Barcelonë. Qeveria rajonale katalonjase është rehatuar në postet e saj dhe deri më tani i ka shmangur lehtësisht akuzat për korrupsion.Por ajo besonte se mund ta rriste edhe më shumë ҁmimin. Carles Puigdemont do që nga një ndihmëspresident të bëhet një kryeministër i vërtetë, të marrë pjesë në samite dhe të jetë dikushi në skenën ndërkombëtare.

Vështrim nga e kaluara dhe jo nga a ardhmja

Problemi është, se të gjitha nuk shkojnë. Independistas-it e argumentojnë veҁorinë e tyre kombëtare me një betejë të humbur në vitin 1714. Asokohe mbreti spanjoll e mori me një goditje Barcelonën. Katalonja ka qenë e pavarur për herë të fundit para dyqind vjetësh dhe shumë besojnë tani, se u duhet të rikuperojnë diҁka historikisht. Kjo të kujton Luftrat Ballkanike apo Brexit, si dhe shpërthimet irracionale në përgjithësi prej ëndrrave historike.

Por si duhet të bëhet konkretisht? Katalonja është një ndër motorët e ekonomisë spanjolle dhe e sukseshme në nivel global. Kjo funksionon vetëm në lidhje me shtetin spanjoll dhe me Bashkimin Europian. Tani sipërmarrjet e mëdha po i tërhqin masivisht  selitë dhe filialet e tyre nga Barcelona – ato nuk duan situata të pasigurta ligjore dhe shpërthime nostalgjike ndjenjash. Rajoni jeton dhe punon në shekullin e 21, por e hedh vështrimin pas në shekullin e 18, në kohën e mbretit Philip V. Kjo nuk mund të përballohet. Luftëtarët për pavarësinë e Katalonjës duhet të vendosin qartë për një epokë, e konkretisht për këtë të sotmen, në rast të kundërt ato vërtetë do të humbasin në histori.

1 komente në “Kufizohet autonomia e Katalonjës”

  1. xhellil says:

    ky gazetari e percmon levizjen studentore me nje epitet “parlament studentesh”..
    edhe te ne shqiptaret,ata studentet e dhjetorit bene hatane. na hodhen ne tepsi kulturen e shkatrrimit dhe mosvlersimit te shtetit ,te cilen po e vuajm sot e mot.
    atehere askush si quajti me perbuzje “parlament studenesh”, as sot askush nuk I percmon,por I bejn furce. vec ramiz alija ju tha atehere kur “parlamenti I studentve” hyni n grev urije “heroike,fjal te zjarrta” ,se “ju jeni te rinj ju s dini gje” dhe paska pas t drejt ramo kodoshi. komunist por nonqim ama. dhe jo trap.
    me fjalt e Ramo Alis se atehershem po flet edhe ky gazetari I sotem qe I nencmon katalanjasit si “parlament studentesh”..
    bota esht e padrejt.
    te ket shtet shqiptari qe I ve shqelmin dhe e shkerdhen me kuc e me mac dhe t mos ket shtet katalani me gjith ate barcelon ne qender!!!!
    paradox.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje