Afera CEZ-DIA/ Kastriot Ismailaj: Gjyqi ndaj meje ishte politik, zbatova marrëveshjen

26 Tetor 2017, 09:07Kronika TEMA

Kastriot Ismailaj, administratori i kompanisë “DIA” që akuzohet për aferën 5 milion euro CEZ-DIA është dënuar me 11 vite burgim nga Gjykata e Tiranës. Seanca e 46 e këtij procesi në Gjykatën e Tiranës, me kryesuese gjyqtaren Vjollca Spahiun dhe anëtarë Martin Deda dhe Bedri Qorri, ka zgjatur tre orë e 45 minuta.

Gjyqtarja Spahiu lexoi vendimin, duke deklaruar fajtor dhe dënuar me 11 vite burgim Kastriot Ismailaj, për akuzat e “Mashtrimit me pasoja të rënda” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.Në seancën e djeshme Ismailaj mbrohej vetëm nga avokatja kryesisht e caktuar nga vetë gjykata e Tiranës, pasi dy mbrojtësit e zgjedhur prej biznesmenit Ismailaj, Alban Qafa dhe Vladimir Meçi, nuk kishin preferuar të ishin të pranishëm në këtë proces.

Avokatja e zgjedhur kryesisht ka paraqitur dhe 35 faqe konkluzjone për mbrojtjen e Ismailajt dhe pas dëgjimit të pretendimeve të saj, gjykata vendosi të dënojë me 11 vite burgim Kastriot Ismailajn si dhe të urdhërojë që shumat financiare prej afro 5 milion euro të sekuestruara në llogaritë bankare të Ismailajt, të konfiskohen dhe t’i kalojnë në administrim buxhetit të shtetit.

Shumat e konfiskuara, të gjetura në disa llogari bankare, janë 3,215,176 dollarë, 938.868 dollarë, 452 160 euro, 1028 euro si dhe 12 360 000 lekë. Më herët prokurorja Antoneta Sevdarasi në pretencën e saj, i kërkoi gjykatës dënimin e Ismailajt me 15 vite burgim. E kontaktuar nga “Shqiptarja.com” prokurorja Sevdarasi u shpreh se ishte e kënaqur me vendimin e gjykatës së Tiranës dhe se pasi të njihet me argumentimin do të vendosë ose jo për apelimin e tij. Ndërkohë avokatët mbrojtës konfirmuan për “Shqiptarja.com” se vendimin e shkallës së parë do e apelojnë, duke kërkuar pafajësi.

Ismailaj: Dënim është politik

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm Kastriot Ismailaj, i cili pas dënimit nga gjykata tha se procesi ishte tërësisht politik, veprimet e prokurorisë kanë qënë të ndikuara nga politika dhe se ai ishte dënuar për një punë kontraktuale që kishte kryer konform ligjeve. Nga provat e administruara gjatë gjykimit të këtij proçedimi penal rezultoj plotësisht e provuar, se i pandehuri Kastriot Ismailaj, nëpërmjet gënjeshtrës dhe paraqitjes së dokumentave fiktive, në bashkëpunim me të bashkë të pandehurit e tjerë ka krijuar një mekanizën të tërë fiktiv, nëpërmjet të cilit ka bërë të mundur vjedhjen e shumës 649, 803, 520 lekë, nga shoqëria “Çez Shpërndarja”, në vitet 2010-2011.

Një pjesë të parave të  vjedhura me anë të mashtrimit nga shoqëria “Çez Shpërndarja”, i kanë kaluar subjekteve të tjera me fatura fiktive për punë apo shërbime të cilat nuk rezultojnë të jenë kryer,janë përdorur apo investuar(si psh vendosja në depozitë) nga i pandehuri Kastriot Ismailaj. Gjithashtu i pandehuri Kastriot Ismailaj ka kryer  transaksionet financiare në shoqërinë “Adriatic Development Corporation ltd” sh.pk, me qëllim për të fshehur dhe mbuluar  natyrën e paligjshme të parave për të cilat arrihet në konkluzionin që vijnë nga veprimtari të paligjshme kriminale.

Ai duke i copëzuar shumën e transferuar në këtë shoqëri (kryerjes së transfertave në shuma të vogla) ka kryer transferimin e këtyre parave me qëllim fshehjen dhe mbulimin e origjinës së tyre të paligjshme.

Ismailaj: Ti bëj letrat të tjerat mendoj unë
I pyetur rreth fakteve objekt hetimi shtetasi Elvis Mataj me detyrë drejtor ekzekutiv pranë DIA ka deklaruar në gjykatë se: “…DIA ka arritur numrin maksimal të stafit prej 115 personash në muajin dhjetor të vitit 2010. Nga të cilët mbi 20 veta ishin pjesë e administratës në qëndër dhe pjesa tjetër drejtues dhe punonjës terreni, por ata nuk morën as makina as karburant, as mjete pune.

Në dy muajët e parë disa nga punonjësit punuan me automjetet karburantin dhe mjetet dhe paisjet e tyre, me idenë e kompesimit të mëvonshëm, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Numri simbolik i punonjësve, mungesa totale e logjistikës, mungesa e urdhërave dhe udhëzimeve e metodologjisë së punës nga drejtoria qëndrore e Dia-se, nuk justifikonin në asnjë mënyrë dhe anjë rrethanë realizimin e detyrimit që ishtë marrë përsipër të kryhej nga DIA…”.

Në vazhdim të deklarimit të tij ky shtetas ka shpjeguar se: “…Kastriot Ismailaj donte vetëm të prodhonte letra si provë për të justifikuar punën e identifikimit të debitorëve por jo të kishte si synim që të bënte ndonjë përpjekje për të identifikuar debitor e mbledhur borxhe apo të shpenzonte para për këtë qëllim…”. Ai disa herë përcolli tek unë mesazhin: “…Ti prodho letra dhe për pjesën tjetër merren unë…”.

E-mailet: Si kordinoheshin Ismailaj-Hejsek

Sipas prokurorisë së Tiranës i pandehuri Josef Hejsek,njoftonte   të pandehuritn Kastriot Ismailaj, për çcdo shkresë që vinte nga Prokuroria e Tiranës. Në vitin 2011, mbi dyshimet e ngritura nga organet ligjzbatuese, Prokuroria filloi verifikimet mbi paratë e përfituara nga shoqëria “DIA” që kishin si burim shoqërinë “Cez Shperndarje”.

Në këtë kuadër, Prokuroria dërgoji një kërkesë në CEZ, për marjen e informacionit tek shoqëria “Cez Shpërndarje”. Josef Hejsek, menjëherë kërkesën e bërë nga Prokuroria e Tiranës, ia dërgoji me e-mail Kastriot Ismailaj duke i kërkuar që ai ta verifikonte kërkesën. Ai i premtoi Kastriotit se ata do të proçedonin me kthimin e përgjigjes në Prokurori vetëm atëherë kur ata të binin dakort së bashku.

Gjithashtu Prokuroria nisi një kërkesë të dytë atë me nr.2700 prot datë 20.05.2011, në të cilin kërkonte të dhëna mbi transaksionet financiare dhe arsyet e ketyre transaksioneve. Josef Hejsek kreu të njëjtin veprim  përsëri informoi Katriot Ismailaj me email-in e datës 1 qershor 2011 ora 5:18 minuta,duke shkruar: “Kjo kërkesë e re sot. Kush është opinioni juaj. Unë mendoj se nuk kemi shumë për të fshehur tani.

Ata mund të vijnë dhe të sekuestrojnë kontratën dhe mund të kërkojnë më shumë dhe ky nuk është qëllimi ynë…”. Kastriot Ismailaj në bashkëpunim me të pandehurin Josef Hejsek ka paraqitur para këshillit Mbikqyrës të shoqërisë “Cez Shperndarje” një sërë faktesh të pavërteta( të gënjeshtra). Paraqitja e këtyre të dhënave ka bërë të mundur miratimin e kontratës, me qëllim justifikimin e kalimit të parave për një punë e cila nuk u krye, sepse palët nuk patën asnjëherë si qëllim kryerjen e punës por vetëm vjedhjen e parave.

Kërkesa e Prokurorise së Tiranë:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Ismailaj për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda” dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim;

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Ismailaj per veprën penale të “pastrimti të produktreve të veprës penale” dhe denimin e tij me 8 vjet burgim;

3. Në bashkim të dënimeve i pandehuri Kastriot ismailaj të dënohet me 15 vite burgim;

4. Shuma 3,215,176 $ dhe 451.132 Euro të sekuestruara dhe 938.868 $, 1028 Euro si dhe 12.360.000 lek, pranë Bankës Venetto, në llogaritë e shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd” me NIPT K71319002B të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit./Shqiptarja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje