Në vijim të vizitës së tij në Holandë për të ndjekur Javën Ndërkombëtare të Ujit që u mbajt në Amsterdam, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bë pjesë edhe i Forumit të Lëvizshmërisë dhe Qyteteve të Qëndrueshme.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës solli në vëmendje sfidën me të cilën u përball kryeqyteti sa i përket situatës së furnizimit me ujë, duke nënvizuar se falë ndërhyrjeve në investime, por edhe në menaxhimin e ndërmarrjes së UKT-së, u arrit jo thjesht tejkalimi i situatës së emergjencës, por nisi puna edhe për furnizimin pa ndërprerje të Tiranës me ujë të pijshëm.
“Jam shumë entuziast që pas dy viteve reforma në rrjetin tonë të ujësjellësit, tashmë Ujësjellësi i Tiranës është një histori suksesi. Histori suksesi sepse nga një kompani e falimentuar, e cila nuk furnizonte më shumë se 7 orë qytetin e Tiranës, sot është një kompani që jo vetëm po nxjerr fitim, jo vetëm e ka çuar në 14 orë furnizimin e qytetit, por po përgatitet për investimet për të sjellë 24 orë ujë në Tiranë. Transformimi ka qenë mbresëlënës, por problemi është që kemi qenë aq mbrapa sa na duhet që të shpejtojmë për të kapur të gjithë kohën e humbur me mënyrën se si është menaxhuar ujësjellësi”, tha Veliaj.
Ai theksoi se rrjedhojë e vendosmërisë dhe vizionit të Bashkisë së Tiranës, UKT-ja është bërë një institucion rentabël dhe i besueshëm edhe për bankat për të marrë kredi dhe për të bërë investimet e mëdha dhe të nevojshme.
“Pas gjithë ristrukturimit që i bëmë ndërmarrjes së ujësjellësit, jemi në prag të firmosjes së kredisë me BERZH-in për të kryer dy investime kryesore. Së pari, një tubacion i cili sjell ujin nga Bovilla, në zonën e Astirit dhe të Unazës së Re, aty ku patëm edhe krizën me thatësirën këtë verë, për ta zgjidhur këtë problematikë; së dyti, një investim për rritjen e kapacitetit të filtrimit në Bovillë, që do të na mundësojë dyfishimin e ujit që filtrohet për të furnizuar qytetin e Tiranës”, shtoi Veliaj.
Ai theksoi se me këto dy ndërhyrje i jepet zgjidhje përfundimisht situatës së emergjencës, çka i jep mundësi më pas Bashkisë së Tiranës të mendojë për zgjidhjen përfundimtare dhe sigurimin e furnizimit me uji 24 orë.
“Besoj se me këto dy investime zgjidhim çështjet më emergjente, për të vijuar me një sistem kapilar të transformimit të ujësjellësit në të gjithë qytetin. Kemi bërë shumë këto dy vjet, por më vjen mirë që më e mira është përpara”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu kënaqësinë edhe për memorandumin e bashkëpunimit të arritur me dy nga institucionet kryesore të ujit në Hollandë, çka sipas tij do kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të UKT-së.
“Më vjen mirë që e mbyllëm vizitën këtu edhe me një marrëveshje me dy nga agjencitë kryesore të ujësjellësit në Holandë, për ta çuar në një nivel tjetër mënyrën si menaxhohet kompania jonë, e cila më përpara shërbente si parking militantësh, pra në një korporatë të mirëfilltë me bilanc korrekt, që i lejon të marrë kredi dhe të bëjë investime”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një vizitë dy ditore në Hollandë me ftesë të Bashkisë së Amsterdamit për të ndjekur punimet e Javës Ndërkombëtare të Ujit, ku morën pjesë ekspertë nga qytete të ndryshme të botës, të cilët diskutuan mbi sfidat e burimeve ujore, ndryshimeve klimaterike dhe energjinë e gjelbër.
Ky mbeti në avion aq sa e talli dhe Rama. Shëtitje me paret e bashkisë i thonë kësaj.
Eh, jo o z. Veliaj! Ose gënjen ti me vetëdije, ose gënjen sepse të keqinformojnë ata të UKT-së! Në të dy rastet je njëlloj fajtor, sepse e ke për detyrë të dish të vërtetën, para se të fillosh të mburresh.
Pranë rrugës së Kavajës, 500-600m larg Sheshit Skënderbej, s’kemi as 4 orë ujë në ditë. Para dy vitesh kishim 12-14 orë, prandaj gjysma e hyrjeve të pallatit nuk kanë depozita majë taracës. E keqja tjetër e madhe është se uji nuk ka orar: 3-4 herë në javë nuk vjen fare në mbrëmje, disa mëngjese vjen 40-45 minuta, por mund edhe të mos vijë fare. Edhe në drekë po kështu, një orë, një orë e gjysëm, ose vetëm 30 minuta. Disa herë (2-3 ditë në javë, vjen në mëngjes, ora 6-6:30 dhe vazhdon deri në orën 13:30-14. Por asnjëherë s’mund ta dish se si do ta ketë orarin uji atë ditë. I vetmi orar i sigurt për UKT, është ai i pushimit të drekës në zyrat e këtij institucioni, punonjësit e të cilit tregojnë papërgjegjshmëri që s’e kemi provuar as më 1991-1992 dhe as më 1997. Kjo ka filluar prej gati dy vitesh, edhe në dimër, edhe kur shiu mbyt Tiranën. Në fundjavë dhe në ditët e pushimit ose për festa, ka më shumë rrezik që uji të harrojë të vijë në shtëpitë tona.
UKT punon me presion të ulët, që krijon zona me furnizim 24-orësh, zona të tjera me furnizim të mirë, 14-16 orë dhe zona të tjera që vuajnë . Por kur shkon në UKT, s’të thonë të vërtetën e “strategjisë” së tyre, mundohen ta gjejnë fajin tek pompa e pallatit, madje kur i pyet se sa orë dhe kur është orari i furnizimit me ujë të zonës, nuk përgjigjen, por thonë se problemi ynë qenka se s’kemi depozita! Mburrjet e vazhdueshme të z. Veliaj, janë një lajm shumë i keq për banorët e Tiranës që pa asnjë faj vuajnë për ujë, qoftë edhe të Bovillës. Po për shërbimin e pandërgjegjshëm, të papërgjegjshëm e të paaftë të punonjësve të UKT-së, nga viti i ardhshëm ne do t’i shpërblejmë duke i paguar më shumë.