Dekriminalizimi/ ‘Beteja’ në KQZ, PS këmbëngul dhe kërkon mandatin e PD...!

3 Nëntor 2017, 08:51Politika TEMA

Dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe Bledar Skënderi, kanë depozituar dje në KQZ kërkesën për të hequr mandatin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, bashki e fituar nga Partia Demokratike.

Kërkesa e dy anëtarëve të mbështetur nga Partia Socialiste vjen në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe dy anëtarët e KQZ pretendojnë se Agron Kapllanaj është dënuar në Itali, në vitin 1995, për veprën penale “vjedhje”.

Këtë fakt kryebashkiaku i Mallakastrës e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur fitoi mandatin në vitin 2015. Sipas Kodit Penal Italian, neni 624, thuhet se “kushdo që i merr tjetrit sendet me forcë dhe në fund merr përfitimin për vete apo për të tjerët, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet dhe me gjobë nga 150 euro deri në 516 euro”.

Në formularin e tij, Agron Kapllanaj thekson se kjo ngjarje është gjykuar në vitin 2003 nga Gjykata e Firences, e cila ka vendosur pezullimin e masës së dënimit. Çështja e Agron Kapllanajt është shqyrtuar një herë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe është vendosur se nuk përbën shkelje, pasi vepra e tij është shuar.

Por për dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë gabim llogaritë për vitet rehabilitimit të kryebashkiakut të Mallakastrës, për rrjedhojë kërkon që çështja të rishqyrtohet. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, konfirmoi për “Panorama” kërkesën e dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste.

Por sipas Zgurit, për rastin e Agron Kapllanajt Prokuroria ka dërguar një informacion, sipas së cilës, theksohet se vepra për të cilën akuzohet kryebashkiaku i PD është rehabilituar dhe për rrjedhojë nuk çon në heqjen e mandatit.

“Prokuroria në fakt ka sjellë një material, në të cilën thekson se rasti i kryebashkiakut të Mallakastrës nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, pasi vepra është rehabilituar. Por dy anëtarët e KQZ kanë mendim tjetër dhe kërkojnë të thërrasin edhe një herë në mbledhje këtë çështje”, tha Zguri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje