Akademia që duhet ​të shuhet në vjeshtë

4 Nëntor 2017, 13:39Blog TEMA

Nga Ilir Yzeiri

Në letërkëmbimin e Dora D’Istrias me De Radën, që gjendet në Arkivin e Shtetit dhe që është përkthyer edhe në shqip ng M. Bruci, Dora D’Istria i flet De Radës edhe për ndërtimin e një akademie, pasi i shkruan atij se ëndërronte një ditë që Shqipëria të kthehej në identitetin e parë me Shkodrën kryeqendër dhe krishtërimin si besim.

Kjo utopi e saj parashikonte edhe Akademinë që mund të ishte në vendin e De Radës dhe që do të merrej me studimin e gjithçkaje që ishte shqiptare në mënyrë që vendi ynë të ringjallej dhe të zgjohej pas natës së gjatë otomane dhe të bëhej ashtu siç kishte qenë para se të binte në atë gjumë të thellë. Mirëpo epoka romantike e ëndrrave kaloi dhe Shqipëria u zgjua një ditë e shfytyruar.

Shteti shqiptar i vitit 1912 ishte një skelet i dobët i atij trupi që ishte varrosur sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Sot është tepër vonë dhe nuk ngjall më frymëzimin e duhur përpjekja që bënë rilindësit apo elitat shqiptare që jetonin në kryeqytetin otoman apo në qytete të tjera të Europës për të formësuar identitetin e kombit tonë që do të jetonte në kufijtë e një shteti të gjymtuar.

Deri në Mesjetën e vonë shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, të njohur si katër B-të e mëdha të kulturës sonë, u përpoqën të linin dëshmitë e një identiteti kombëtar kristian dhe me veprat e tyre shënuan në një farë mënyrë nekrologjinë e një kohe që po vdiste.

Nëse ringjallja apo Rilindja nis me konributin e arbëreshëve në fillim, pra me “Këngët e Milosaos” që u botua në vitin 1836, kjo nuk do të thotë se kështu lindi apo u ringjall edhe Arbëria e asaj kohe.

Kjo do të thotë se shqiptarët më vonë, atëhere kur kishin shtetin e tyre, nisën të rindërtojnë utopinë e atdheut edhe përmes letërsisë së arbëreshëve dhe De Radës sidomos, brenda të cilave ishte ruajtur edhe historia e një periudhe që ishte fshirë nga memoria kolektive.

Naimi më pas dhe shoqëria e Stambollit, me veprën e tyre e përforcuan këtë imazh dhe Konica e rrethi katolik i Shkodrës me Fishtën në ballë e rindërtuan edhe më imazhin e një atdheu që kishte si identitet apo si fe një utopi që i kapërcente besimet tradicionale teografike, që ishte shqiptaria.

Nuk është rasti dhe as vendi për të bërë historinë e kulturës shqiptare, por duhet thënë se pas shpalljes së Pavarësisë e deri në vitet e luftës, kultura shqiptare arriti të ndërtojë memorien historike dhe Tirana, Shkodra apo Korça e Elbasani ishin bërthama të qyteteve ku kultura dhe dija po zinin një vend të çmuar.

Historia e Institutit të Stdimeve Shqiptare e inicuar nga pushtuesit italjanë që u riformua edhe njëherë nga Patër Anton Arapi në shkurt të vitit 1944, megjithëse u nxit nga fashistët italjanë dhe nuk i përfshiu të gjithë dijetarët brenda saj.

Ajo, siç vëren me të drejtë A. Plasari, la jashtë Mit’hat Frashërin, një nga dijetarët më të shquar të kohës dhe Mitrush Kutelin fjala vjen. Megjithatë, ajo nxiti disa punime dhe studime që mund të përdoren edhe sot.

Instituti që riformuloi Pater A. Arapi nuk pati kohë të nxirrte asnjë produkt sepse koha ishte e shkurtër dhe në vitin 1946 këtë institut e riformatoi edhe njëherë pushteti komunist që u instalua në Shqipëri.

Më pas, këto rrjete institutesh krijuan edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e cila, siç e kam përmendur edhe në një shkrim tjetër po për këtë argument, duhet të vinte në themel materializmin marksist e leninist dhe duhej të bëhe një qendër e luftës me ideologjitë borgjeze dhe të vihej në shërbim të projektit që kishin komunistët për ndërtimin e socializmit në Shqipëri.

Debati që bëhet sot për Akademinë e Shkencave duhet të llogarisë këtë fakt, që ky institucion ishte ngritur për të shërbyer si vendi ku do të argumentohej shkencërisht vitaliteti i socializmit dhe ku të gjitha studimet do të duhej të përshkoheshin nga platforma që ishte imponuar qysh në fillim.

Ndaj të gjitha produktet e kësaj Akademie në fushën humaniste sot nuk kanë pothuajse asnjë vlerë.

Me përjashtim të veprave të dy apo tre gjuhëtarëve të mëdhenj që u morën me problemet e historisë së gjuhës shqipe apo dhe të tjerë që studiuan shqipen standarde, kontributet në fushën e studimeve të historisë, të letërsisë, filozofisë, psikologjisë pedagogjisë apo të të gjitha fushave që studiojnë jetën shpirtërore të një shoqërie, sot nuk mund të shërbejnë për asnjë gjë.

Po sjell vetëm një shembull që po e përmend për herë të dytë. Historiani Pëllumb Xhufi botoi tash në fund një libër voluminoz mbi historinë e Arbërve të Jonit « Arbërit e Jonit-Vlora, delvina dhe Janina në shek XV-XVII », me rreth 1400 faqe.

Si specialist i Mesjetës, ai këtë nismë nuk mund ta realizonte para vitit 1990 sepse arkivat që duhet të shqyrtonte ishin të ndaluara për studiuesit shqiptarë. Kaq mjafton për të thënë se shkenca shqiptare është tjetër gjë dhe Akademia një gjë tjetër. Në Shqipëri, por edhe në botë shkenca zhvillohet në institucione të specializuara dhe ndër më kryesorët janë universitetet.

Akademia është një tempull honorifik, në qoftë se do të duhet ta ruajmë dhe anëtarë të saj duhet të jenë njërëzit më me peshë si personalitete të kulturës, dijes dhe të shkencës, të cilët mund të mblidhen e të marrin vendime vetëm për gjëra që prekin jetën e gjuhës apo të kulturës së shqiptarëve. Akademia nuk mund të jetë një ent botues apo një variant i departamentit të një fakulteti.

Mirëpo, që të arrijmë në këtë formatim, ata akademikë apo njerëz të shquar të këtij vendi, duhet të modernizojnë formën e të menduarit dhe të hartojnë një platformë që do ta bëjë kulturën shqiptare me një identitet të pagjymtuar.

Të mos harrojmë një gjë. Sistemi akademik i komunizmit ishte ngritur mbi parimin e luftës së klasave në histori dhe e kishte gjymtuar traditën. Detyra e njerëzve të shquar të një vendi, e akademikëve është nxitja e botimit të traditës së kulturës shqiptare pa asnjë dallim. I vetmi kriter duhet të jetë vlera dhe filologjia.

Pasi të jetë bërë ky botim, atëhere duhet gjetur mundësia dhe duhen studiuar të gjitha rrugët që kjo dije dhe kjo kulturë të bëhet pjesë e shkollës shqiptare sipas një programi që nis në të gjitha ciklet e saj. Sot në Shqipër ne kemi një situatë absurde dhe secili punon dhe boton për llogari të vet. Në Shqipëri ka një kaos total dhe nuk ekziston publiku apo opinioni.

Të mos harrojmë se për të formësuar shqiptarin e shekullit XXI në Shqipëri apo në Kosovë, më shumë po mendojnë xhamitë, mejtepet apo imamët fanatikë, ndërsa shkolla shqiptare popullohet me tekste të hartuara e të botuara pa asnjë kriter të përgjithshëm që do të duhej të mbante në vështrim këtë detyrë, në mënyrë që edhe një fëmijë në Gjilan edhe një fëmijë në Tepelenë ta dinë në mënyrë të barabartë historinë e tyre dhe të përgatiten njësoj si qytetarë europianë që jetojnë në Ballkan dhe që kanë fqinjë nga njëra anë një komb që në kujtesën kolektive ka një betejë të vitit 1338 dhe nga ana tjetër një komb që ka panhelenizmin si ideologji të fshehtë.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk mund ta realizojë këtë mision. Ajo pati kohë që të merrte përsipër këtë mision, por ajo nuk ka mundësi ta realizojë sepse është ndërtuar me anë të një principi tjetër. Në këtë kuptim ajo duhet të ikë bashkë me vjeshtën. Për fat të keq, është vështirë të thuhet nëse mund të rindërtojmë një Akademi tjetër, ashtu siç do të donim të gjithë.

4 komente në “Akademia që duhet ​të shuhet në vjeshtë”

  1. Petraqi says:

    Po leni more te flasin e te japin mendime per akademine ata qe dine se c’eshte e cduhet te jete Akademia.
    Nuk e kam personalisht me kete Yzeirin por ne pergjithesi se kur ta kritikosh akademine duhet ta njohesh punen e saj “nga brenda” jo nga leximet e gazetave e nga fjalet e kafeneve”.
    Tema do te ishte mire te kerkonte mendimin kritik dhe shkrime te te personaliteteve te lultures e shkences shqiptare.

  2. Stringa says:

    Bravo Yzeiri qe me nje te rene te lapsit e me nje politizim te pashoq e hodhi poshte punen e Akademise se Eqrem Cabeut, Aleks Budes, Mahir Domit, Shaban Demirajt, Farudin Hoxhes, Mentor Permetit, etj., etj.
    Bravo se me nje te rene te lapsit e hodhi poshte idene se Shqiperia ne ate kohe ishte bere per here te pare qendra boterore e studimeve albanologjike.
    Kritika te tilla diturake i hapin udhen e per te hedhur Akademine ne…

  3. KodraSadikit says:

    Fatkeqesisht akademite tona si ne Tirane njashtu ne Prishtine jan tejet pasive dhe me keqardhje se meritojne te jene ne piadestalin e kombit tone.Po e ilustroj me dy shembuj : Eshte per tu habitur se si gjate nji intereviste ndegjova se si nji Akademik nga Tirana as qe kishte ndegjuar ndonjiher per Sangjakun nji krahine shqiptare e okupuar kaher nga Serbija ku edhe sot e kesaj dite slejohen shkollat shqipe atje.Ose ne Kosove historine me te mire deri tani per Kosoven e beri nji i huaj dhe njashtu Hakif Bajrami sikur Xhufi atje me forca vetiake .Kurse akademite tona po flejne nate e dite e akademija e Serbise dhe Greqise jan tejet aktive dhe rrenet e dredhite e tyre bota po i merre si te verteta ne mungese argumentesh e kunderargumenteve tona reale sepse e drejta e faktet jane ne anen tone….

  4. @autori says:

    Akademia, si Institucion shkencor gjithperfshires, eshte nje peshe e stermadhe dhe fallco per kellqet e Shqiperise.
    Shqiptareve, ne te dy anet e kufirit, u nevoitet urgjentisht nje Institut mbarekombetar, vetem per studimet dhe botimet historike dhe filologjike. Dikush mund te thote se ato ekzistojne edhe sot, por jane pergjithesisht jasht loje. Verejtjet qe ben autori i shkrimit per Akademine jane njelloj te vlefshme edhe per te gjitha institutet ekzistuese. Kemi shume nevoje te ruajme dhe te rrisim identitetin dhe unitetin kombetar. Studimet e papolitizuara historike, ato arkeologjike, trashegimia kulturore dhe e monumenteve te kultures, letersia dhe artet, sidomos ruajtja, studimi dhe zhvillimi progresiv i gjuhes shqipe, jane detyra imediate per nje popull qe pretendon identitet kombetar. Sa per “akademike”ne shkencat ekzakte, ata ne Shqiperi, jane thjesht “jasht hapesires dhe kohes”. Sikur te kete ndonje talent shqiptar ne keto fusha, ka plot akademi europiane qe jane te gatshme ti mirepresin dhe zhvillojne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje