Komisioni për Reformën Zgjedhore i miratuar me konsensus në Parlament më 13 tetor të këtij viti, nuk e ka zhvilluar ende mbledhjen e tij të parë.
Komisioni i Posaçëm, i cili do të bashkëdrejtohet nga Bledi Çuçi i PS dhe Oerd Bylykbashi i PD, nuk ka ende një axhendë në lidhje me mbledhjet e tij dhe çështjet që do të diskutohen.
Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për tri zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017 të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet dhe të propozimeve të partive politike që në zgjedhjet e fundit kanë marrë secila jo më pak se 1 për qind të votave.
Situata e tensionuar politike që shoqëroi përgatitjen e procesit zgjedhor të 25 qershorit pamundësoi realizimin e ndryshimeve në Kod të sugjeruara nga opozita dhe maxhoranca. PD ka hartuar edhe një draft të sajin lidhur me ndryshimet që do të kërkojë në Komisionin e Reformës, ku në krye qëndron propozimi për votimin e numërimin elektronik dhe dekriminalizimin e procesit zgjedhor.
“Dekriminalizimi i procesit zgjedhor. Zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit, në germë dhe frymë është kyç për një proces zgjedhor të besueshëm e të pranueshëm. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit duhet të sigurojë që asnjë kandidat me rekorde kriminale të mund të marrë një post të zgjedhur. Përdorimi i teknologjive në votim. PD kërkon futjen e teknologjive në votim me qëllim identifikimin e sigurt të votuesve në qendrën e votimit dhe modernizimin e përshpejtimin e procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit”.
Ndërkohë socialistët kanë deklaruar se në krye të kërkesave të tyre qëndron mundësimi i votës për emigrantët.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, ka deklaruar se ka ardhur koha që më në fund emigrantët shqiptarë të regjistrohen dhe të kenë mundësi të votojnë e të vendosin për qeveritë e tyre.
Shume mire votimi nga emigrantet ne vendet ku ndodhur, italjanet p.sh,ne vendet ku ndodhen votojne