Gati skema për taksën e re të shtëpisë, ja se si do kompensohen pensionistët

8 Nëntor 2017, 16:17Ekonomia TEMA

Pensionistët kryefamiljarë në të gjithë vendin që jetojnë vetëm pritet të kompensohen nga qeveria, për efekt të rritjes së taksës së shtëpive.

Skema parashikohet të jetë e njëjtë me atë të kompensimit të energjisë, ku përfitues janë 83 mijë pensionistë.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, dje në diskutimet për paketën fiskale, propozoi që kjo kategori të përjashtohet nga kjo taksë ose të aplikohet diferencim në mbrojtje të kësaj kategorie.

“Unë kam shqetësim pensionistët që jetojnë vetëm, pra të ndarë nga familja e tyre, që kanë një shtëpi 60 apo 70 metra katrorë. Unë mendoj që preken nga taksa e re dhe do të doja të dija, ju e gjykoni diferencimin edhe për këtë kategori”, u shpreh Braçe.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shpjegoi se në mungesë të identifikimit të pensionistëve që jetojnë vetëm, shtëpi më shtëpi, diferencimi i taksës është i pamundur. Ministri Ahmetaj deklaroi se për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie, mund të veprohet me subvencione, siç është skema e energjisë.

“Në përgjithësi, mënyra se si këto familje ndihmohen, shkon përtej taksës, punohet me subvencione, siç ka qenë ajo e energjisë. Mbetem i hapur ta diskutojmë në detaje dhe se si mund të veprohet në rast se shkojmë në atë drejtim”, deklaroi ministri Ahmetaj. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Braçe, pohoi se listat e pensionistëve që kompensohen për energjinë, janë gati.

“Identifikimi i këtyre familjeve është i gatshëm, sepse për këtë kategori, pra pensionistët e vetëm, ka një skemë të rimbursimit të energjisë, pra janë të identifikuar në OSHEE, i cili ua paguan nga buxheti i shtetit këtë subvencion. Mendimi im modest është që të përjashtohen nga kjo taksë pensionistët, që jetojnë në banesat e ndërtuara para vitit 1993.”, u shpreh Braçe. Maxhoranca do të vijojë me diskutimet konkrete për skemën e subvencionimit në seancën e diskutimeve nen për nen të paketës fiskale.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË

Pas heqjes së fashës prej 300 kilovatë dhe vendosjes së çmimit të energjisë 9,5 lekë për kilovat, u përfshinë në skemën e subvencionimit 81 mijë pensionistë kryefamiljare. Aktualisht, kjo kategori përfiton nga qeveria një kompensim në masën 648 lekë në muaj, për efekt të rritjes së çmimit të dritave.

Kështu, një nga kushtet që pensionistët kanë plotësuar për përfitimin e kompensimit, është kontrata me operatorin e furnizimit me energji elektrike dhe të paguhet energjia e shpenzuar. Mungesa e një kontrate energjie dhe mospagesa e saj e bën të pakuptimtë kompensimin e çmimit të energjisë elektrike. (panorama)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje