Koha për të menduar për pushimet e fundvitit, ja luhatja e monedhave

7 Nëntor 2017, 16:14Ekonomia TEMA

Monedha vendase është forcuar sërish gjatë ditës së sotme në raportet e këmbimit me euron, duke u luhatur në nivelet më të ulëta që nga fillimi i shtatorit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej sot me 133.29 lekë, 0.07 lekë më pak se një ditë më parë. Monedha e përbashkët ka qenë në territor rënës të paktën prej tre javësh.

Dy janë arsyet kryesore të kësaj tendence, sipa aktorëve të tregut valutor.

Së pari, euro ka qenë e dobët në bursat ndërkombëtare. Ditën e sotme një euro u këmbye me 1.156 USD duke rënë ndjeshëm në raport me 1.18 USD që këmbehej në fund të muajit tetor. Euro mbetet nën presion edhe pse të dhënat e Gjermanisë treguan për një rritje të lart ëtë besimit të investitorëve. Negativisht kanë ndikuar deklaratat e Bankës Qendrore Europiane në fund të tetorit se do të reduktojnë programet e blerjes së obligacioneve. Euro ka rënë për tre javë radhazi kundrejt dollarit.

Krahas euros së dobët në bursa, faktori kryesor që ka ndikuar në rënien e tij në tregjet shqiptare lidhet me ofertën e lartë për valutë dhe kërkesën e dobët për monedhën vendase. Aktorët e tregut pohojnë se qarkullon shumë valutë në treg, ndërsa aktiviteti tregtar duket i dobët, në një tregues të konsumit të dobët, çka ka bërë që euro të bjerë vazhdimisht.

Një euro e dobët është në favor të të gjithë atyre që kanë për të paguar kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në lekë. Për të gjithë ata që duan të kalojnë festat e fundvitit jashtë, kursi është më i favorshmi në 9 vitet e fundit (vetëm dy vjet më parë për një euro duheshin rreth 140 lekë, sot duhen 7 lekë më pak).

Më të humbur janë ata që kanë pagat në valutë dhe do të duhet t’i kthejnë në lekë, si dhe eksportuesit, që i kanë të ardhurat në valutë.

Humbje të mëdha kanë dhe të gjithë ata që kanë kursimet në euro, që janë zhvlerësuar automatikisht me 5.2% gjatë dy viteve të fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje