Patentat, Tahiri dhe shoferi i tij do të thirren për të dëshmuar

8 Nëntor 2017, 09:12Kronika TEMA

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe shoferi i tij Gentian Ceka, pritet të merren në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ceka dhe Tahiri do pyeten për praninë e çuditshme të tre patentave të Tahirit dhe gruas së tij, në automjetin Land Rover, ku u sekuestruar dhe katër çanta me 863 mijë e 100 euro.

Njëherësh, prokuroria do verifikojë me imtësi tabulatet e shoferit të tij Gentian Ceka, pasi ka dyshime se ky i fundit mund të ketë qenë në makinë, shkruan Shqiptarja.com.

Nuk dihet me saktësi se në çfarë rrethana këto tre patenta kanë përfunduar në makinën e Orest Sotës.

Orest Sota është pronari i firmës “Fortis Beton” ndërsa babai i tij, Lefter Sota është biznesmen në fushën e ndërtimit, hekurit dhe medias.

Orest Sota ka deklaruar në policinë e Elbasanit se është mik me shoferin e Saimir Tahirit dhe se lejet e drejtimit i kishte harruar ai në makinën e tij.

“Kam qenë në një takim me shoferin e Saimir Tahirit pak ditë më parë dhe ai i harroi në makinë” mësohet se tha Sota.

Dy lejet e drejtimit për mjete lundrimi, e para deri në 20 ton dhe e dyta deri në 100 ton janë marrë në 26 dhe 31 korrik të 2017 nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas sekuestrimit të 863 mijë eurove dhe patentave të Tahirit, burime pranë prokurorisë thanë se Saimir Tahiri, Orest Sota, vëllezërit Habilaj dhe personat e tjerë do verifikohen mbi pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare dhe pasuri të tjera, për të mësuar nëse ata i justifikojnë këto pasuri ose jo. Ndërkohë do bashkëpunohet ngushtë dhe me ILDKPKI-në lidhur me këtë rast.

Vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka preferuar të japë asnjë koment lidhur me këtë ngjarje.

Të kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” avokati Artan Hajdari deklaroi se nuk ishte njoftuar aspak nga prokuroria për një hetim pasur që kanë nisur ndaj klientit të tij Saimir Tahiri.

Sipas Hajdarit, prokuroria është e lirë të hetojë dhe askush s’mund ta ndalojë për të kryer verifikimet e mundshme. Pritet që në ditët në vijim prokuroria ti drejtohet me shkresa drejtorisë së hipotekës, disa bankave në vend dhe disa institucioneve të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje