Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Xing me Ermalin” ku ka folur për jetën e tij jashtë futbollit të luajtur. I ngacmuar në studio për të ardhmen e tij, nëse mund të merrte një rol qendror si trajneri i Kombëtares, apo edhe si presidenti i FSHF-së, Cana, nuk ka ngurruar të përgjigjet pozitivisht.
“A e kam menduar? Sinqerisht jo, por a mund të bëhem? Pse jo”, tha Cana.
Më pas, ai ka treguar disa anekdota nga periudha e tij në vitet kur ka veshur fanellën kuqezi. Një prej tyre ishte edhe çështja e komunikimit të futbollistëve nga të gjitha trevat shqiptare.
“Me raste kishte vështirësi, kishte edhe momente kur lojtarë të rritur në vende të ndryshme flisnin dialekte të ndryshme të shqipes. Për shembull Gashi, i rritur në Zvicër, nuk e kuptonte me raste Kaçen e rritur në Greqi kur fliste në shqip dhe më kthehej shpesh me fjalët ‘Çfarë thotë ky!’ kur e dëgjonte ndërsa fliste.
Një herë, kur po ecnim në një aeroport para disa dyqaneve me pajisje elektronike, dëgjoj zëra në anglisht ‘it’s nice, look at this (e këndshme, shikoje këtë)”. Ishin Kaçe me Gashin. Më thanë se merreshin vesh më mirë ashtu”, tregoi Cana.
Cana më pas ka treguar disa nga “sekretet” e gjërave që ndodhin në dhomat e zhveshjeve të Kombëtares shqiptare:
Kush depilohet nga futbollistët e Kombëtares: Pjesa më e madhe depilohen, ndoshta përveç Mërgim Mavrajt i cili është besimtar.
Kush ka më shumë lesh në trup:Ndoshta Elseidi ose Sadiku.
Kush lahet lakuriq në dushe: Janë këta që janë pak më shumë besimtarë që mund të lahen me brekë se janë të turpshëm. Mërgimi lahet me brekë, i ka ndodhur edhe pa brekë. Po të gjithë të tjerët lahen pa brekë.
Kush vonohej më shumë për t’u larë: Nëse luanim në Shqipëri laheshim shpejt se donim të takonim familjarit. Kur laheshim jashtë ishte qetësi, unë isha gjithmonë nga më të fundit.
Kush kujdeset më shumë për pamjen e jashtme: Ka të kujdesshshëm, Sadiku është shumë i kujdesshëm.
Kush shajnë: Të gjithë, përveç Mërgimit
Kush merrte ushqime me vete:Berisha, biles kur vinim në grumbullim dhe kishim ditën e familjarëve, kur vinin për t’i takuar familjarët i sillnin ëmbëlsirë nga Kosova.
Në studio pastaj ka qenë i ftuar edhe babai i ish-kapitenit kuqezi, Agim Cana, i cili u është përgjigjur disa pyetjeve për të birin:
A do ishte krenar nëse do të punonte Loriku mekanik: Çdo prind për çdo fëmi do të ishte krenar njëlloj kur një fëmi është i suksesshëm. Do të isha krenar.
Ja ke ndërruar ndonjëherë bebelinat:Jo, asnjëherë.
Ngjan më shumë nga fisi juaj apo i zonjës: Unë e kam bashkëshorten, që është krenare dhe më thotë ka ngjarë nga ajo, janë familje më intelektualë. Por shumica thotë që i ngjan babit.
Si ka qenë Loriku si fëmijë: Loriku ka qenë fantastik, fëmijë më të ëmbël është e rrallë të gjesh.
E ke rrahur ndonjëherë: Jo, nuk ka pasur nevojë për ta rrahur, ai ka funksionuar normal.
A ju ka dhënë lekë pasi u bë i famshëm: Ka dhënë shumë lekë, i kemi lekët e përbashkëta. Pas fillimit të karrierës si profesionist ka marrë më shumë se ne dhe na ka ndihmuar.
Futbollisti i preferuar: Loriku.
Në çfarë moshe nuk e bënte më çiçin në krevat: Kam harruar, se isha futbollist profesionist dhe atëherë ishim për shumë ditë në grumbullime.
Më mirë që ishte Loriku më i famshëm apo e kundërta: Sigurisht më krenar dhe i lumtur që ky u bë, si çdo prind që do që fëmija t’ia kalojë babait.
A ka pasur femra që u vinin rrotull lojtarëve: Shumë më pak se sot, por ka pasur. Futbollistët udhëtojnë shumë, kanë kontakte dhe mundësi të takohen me njerëz të llojlloshëm. Por ka pasur më pak, ka qenë ndryshe.
A ka pasur vendime të tij për të cilat ke qenë kundër për kontratat: Ne i kemi pasur gjërat e ndara, ky në fushë, unë jashtë. I kam treguar se cilat janë propozimet, por kurrë nuk kam vendosur gjë pa diskutuar me të, dhe në fund Loriku ka bërë zgjedhjen, pavarësisht nëse kam pasur dëshirën apo jo. Në fund ka vendosur ai, ku ka dashur të shkojë.
A e sheh djalin e Lorikut si nxënës për ta bërë futbollist: Nuk e besoj. Është një fëmijë shumë i llastuar. Çuni dy vjeç me telefon. Një djalë që lëviz vazhdimisht, janë shenja të mira.