Në konferencën e radhës për shtyp kanë dalë sot mesfushori Sabien Lilaj dhe mbrojtësi Frederik Veseli. Mesfushori që luan në kampionati shqiptar me skuadrën e Skënderbeun është rikhyer nga tekniku Pauncci pas një performance mjaft të mirë që ka bërë me klubin korçar.
Lilaj u shpreh i lumtur që është pjesë e kuqezinjve, ndërsa shtoi se shpreson që në miqësoren ndaj Turqisë të ketë disa minuta në dispozicion.
“Jam shumë i kënaqur që grumbullohem me Kombëtaren, ku rikthehem pas një kohe shumë të gjatë. Patjetër që është kënaqësi të rikthehesh të veshësh fanellën kuqezi. Besoj se gjatë kësaj jave jam përgatitur mirë dhe tani shpresoj që gjatë kësaj ndeshjeje të kem dhe unë minutat e mija në fushë.
Në çdo ndeshje futemi për të marrë maksimumin, pavarësisht si përfundon ajo. Përballë kemi një kundërshtar të fortë, por kjo nuk do të thotë se do të futemi në fushë për barazim apo për humbje. Do të japim më të mirën, pse jo për të dalë me fitore nga kjo ndeshje.
Roli im i preferuar është ai përpara mbrojtjes, siç luaj te Skënderbeu. Edhe trajenri Panuçi në këtë rol më ka provuar në Kombëtare. Përpara se të thirresha në Kombëtare nuk kisha kontaktuar asnjëherë me trajnerin. Këtu patëm kontakt, por e rëndësishme është që kur vjen në Kombëtare të japësh maksimumin dhe ai të jetë i kënaqur”.
Lilaj foli pak edhe për paraqitjen e Skënderbeut në kampionat:
“Këtë sezon e kemi nisur shumë mire dhe në fazën e parë kemi marrë pothuajse pikët maksimale. Megjithatë, nuk besoj se ka ndonjë ekip që mban gjatë gjithë kohës të njëjtin ritëm. Edhe ne do kemi luhatjet tona, por të shpresojmë që këto të ndodhin sa më vonë. Për sa u përket rivalëve, nuk dua të ndalem shumë tek ata. Mjafton që Skënderbeu të ecë mirë”, përfundoi Lilaj.