Sukaj nuk rikuperohet, Progni alternativë për qendërsulmues te Partizani

14 Nëntor 2017, 15:03Sport TEMA

Xhevahir Sukaj do të jetë mungesa e madhe e Partizanit në trasfertën në Laç. Me sulmuesin që ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi i pësuar përpara një muaji në kofshë, ndryshimi më i rëndësishëm te Partizani pritet të jetë aktivizimi i Gerhard Prognit në qendër të sulmit.

Duke vlerësuar emergjencën në fazën ofensive, me Çanin që mbetet jashtë dhe kohët e rehabilitimit të Sukajt që janë më të gjata nga parashikimet, trajneri Starova është gati të bëjë ndryshimin e madh në formacion. Qendra e sulmit do ti besohet Prognit, lojtar që ka kualitetin dhe eksperiencën të jetë i rrezikshëm për mbrojtjet kundërshtare, si edhe është një njohës i mirë i portës.

31-vjeçari i kthyer pas afro një dekade te Partizani u afrua për të përforcuar krahët e sulmit, ndërsa nën drejtimin e Iulianos u sakrifikua edhe si mbrojtës i djathtë, për të mbuluar mungesën e Fejzullahit të dëmtuar. Por, si një njohës i mirë i kontingjentit të kuq dhe karakteristikave të lojtarëve, Starova ka vendosur ta spostojë në ekstremin tjetër të fushës, aty ku skuadra ka shfaqur më tepër mangësi.

Në mbështetje të Prognit do të jenë Trashi nga e majta dhe Jasir Asani nga e djathta, me djaloshin nga Shkupi që ka fituar shumë kuota në hirearkitë e skuadrës. Partizani kërkon të nisë një seri pozitive prej trasfertës së të enjtes në Laç, ndeshje që Starova e ka cilësuar startin e vërtetë të sezonit, pasi që diferenca prej 14 pikësh nga kryesuesit e Skënderbeut të ngushtohet nevojiten golat dhe fitoret./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje