Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions dëshmoi të martën para Kongresit se ai në fakt ka qenë në dijeni të kontakteve mes fushatës së Donald Trump dhe ndërmjetësuesve rusë vitin e kaluar.
Sessions kujtoi se ish-këshilltari i fushatës së Trump, George Papadopoulos kishte propozuar ndërmjetësimin e një takimi mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin, falë kontakteve që ai kishte me Rusinë. Sessions dëshmoi se ai kishte marrë masën e duhur, duke i bërë të qartë ish-këshilltarit Papadopoulos se ai nuk mund të përfaqësonte fushatën e Trump.
Sessions deklaroi se “kaosi” tërësor që shoqëroi fushatën presidenciale të Trump turbulloi kujtimet e tij lidhur me këtë çështje. “Në gjithë dëshminë time, mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja po aq mirë sa i kujtoj,” u shpreh Sessions përpara Komitetit Gjyqësor të Kongresit, duke këmbëngulur se ai nuk kishte gënjyer nën betim gjatë dëshmisë së mëparshme në Capitol Hill, ku ai mohoi kontaktet e fushatës së Trump me Kremlinin.
Kjo çështje po hetohet tashmë nga këshilltari i posaçëm Robert Mueller. Në tetor, Mueller lajmëroi se ish-këshilltari Papadopoulos ishte deklaruar fajtor për paraqitjen e deklaratave të rreme në FBI. Që prej fillimit të këtij hetimi, disa këshilltarë të Trump kanë pranuar se kanë patur kontakte ose takime me zyrtarë ose ndërmjetësues rusë.