Ledi Shamku: Portale që dridhin e shkundin dhe një histori e Artan Lames për bariun kolonjar e 'Evropin'

17 Nëntor 2017, 09:19Blog TEMA

Nga Ledi Shamku

Portale që dridhin dhe shkundin!

Titujt e portaleve që u referohen lajmeve që kanë lidhje me shqiptarët, shqipen ose shqiptarinë, meritojnë një studim të vërtetë antropologjko-kulturor (për të mos thënë edhe psikologjik).

Titujt shpesh formulohen kështu: Tronditet Greqia… Alarmohen serbët…., Dridhet Beogradi…., Ngrihet në këmbë Athina…, Shkundet nga themelet historiografia botërore…., Mbeten pa gojë grekët… etj etj etj. Ti thua me vete: ç’bëri vaki? U gjet më në fund antropoidi që fliste pellazgjishto-ilirishto-shqip e që banonte njëherazi në Beograd, Athinë dhe Tiranë?! Në të vërtetë jo, asgjë e tillë. Ndonjë aktori i hamendësohet origjina shqiptare, ose historiografisë i është shtuar ndonjë hipotezë (po atë punë ka ajo, të hipotezohet ?).

Veçse këto tituj janë shenjë e keqe. Janë shenjë e një mendësie që ende nuk ka dalë nga bunkeri i vetërrethimit. Janë shenjë e një stadi ende fëminor të arsyes, dhe stadi fëminor dihet që është egocentrik, pandeh se bota rrotullohet për të dhe rreth tij.

Këto tituj më kujtojnë një ngjarje që më pati kallxuar dikur Artan Lame: andej nga zonat e thella të Kolonjës, në kohën e Luftës kishte inkursione ajrore. Një bari sheh një kaçatorr që fluturon ulët e i tremb tufën, nxehet, mbush dyfekun edhe bamp – thes e në tokë kaçatorri me gjithë pilot italian. Fshati i bëri këngë bariut, dhe bëmën ia kallxoi gjatë e me breza. Në 1997 dogjëm vendin dhe erdhi bota të na shuante.

Erdhën dhe ca ushtarakë të huaj andej nga fshati i bariut të Kolonjës. Bariu kuptohet kish rrojtur sa kish dashur, me famë e me bujë fshatçe dhe dikur kish ndërruar jetë. Por s’kish ndërruar jeta e mbyllur aty, ndaj me të parë ushtarët e huaj, ndonëse pas 60 e kusur vjetësh, dikush u zgjati kutinë e duhanit dhe i pyeti: Pa hë more djema, ç’thotë Evropi tani për bariun tonë?

Të dashura portale, qetësoni titujt. Evropi nuk dridhet as shkundet prej bariut tonë. Jemi komb me fqinjë e me kushërinj, me dashuriçka e me hatëre si gjithë të tjerët. Kaq.

Me shkencën ama e kemi disi keq punën.

9 komente në “Ledi Shamku: Portale që dridhin e shkundin dhe një histori e Artan Lames për bariun kolonjar e ‘Evropin’”

  1. Bariu i deleve says:

    Bravoooooooooooooo Ledi. Brilante si gjithmone.

  2. lola says:

    Bravo, Ledi…je një “lady” e vërtetë…!

  3. Mamamia says:

    Shume e bukur, analize e holle! Ne te vertete keta titujt?!!!!

  4. baba nga durrsi says:

    shkrim i thjeshte dhe i goditur, te lumte pena zonja Ledi.

  5. Messerschmidt says:

    Je sa pusht ti fotaq je ….por ky pushtlleku jot nuk i prishka shume pune mretnis ! alabake

  6. Kapit Tupalla says:

    Sa më bombastik titulli, aq më pak vlen të lexohet !

  7. Lexues i kujdesshem says:

    Ik mi debile. E mban veten ti per gjuhetare dhe ben gafa kolosale. Ne gjuhen shqipe folja drihem ka vetem trajte pesore. NUK KA FORME KALIMTARE. Njesoj dhe ne gjuhen italiane me foljen analoge. Meqe hyn e del ne nje universitet italian.
    Shko mbaj zi, e turperohu dy minuta per injorancen profesionale, ti e keta te tjeret qe te japin te drejte.
    Ju te redaksise mos e botoni, se aq me ben. Po percilljani kesaj fare gjuhetareje gafat qe ben. Oiii Oiiii!!!

  8. genci says:

    Bravo zonja Ledi.Ishe e vetmja femer ne parlament dhe tani kane ngelur vetem burra.Nuk te njoh personalmente,por te kam ndjekur nga Spanja ne debatet e ndryshme ne parlament dhe television.Je vajze me personalitet .Urime

  9. xheladin celmeta says:

    Shume e bukur rrefenja juaj zonja Ledi! Shume domethenese, thumbuese, qe na ben t’i therrasim mendjes! Te lumte pena!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje