Mbi bashkëjetesën e Amerikës me politikanë të korruptuar të Ballkanit

17 Nëntor 2017, 10:38Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Në Washington dhe në Bruksel nuk duhet të priten më politikanët e korruptuar të Ballkanit. Kështu tha këto ditë diplomati amerikan Hoyt Brian Yee. Por në librin e korrupsionit në Ballkan Amerika e ka shkruar një kapitull të madh. A do të mbyllet ky kapitull?.

Hoyt Brian Yee është një diplomat amerikan i karrierës dhe me përvojë të madhe. Në Ministrinë e Jashtme amerikane ai tani është përgjegjës për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, andaj e shohim shpesh në rajon. Në Shkup ai arriti ta përzë nga pushteti diktatorin e vogël prorus Nikolla Gruevski, në Beograd para disa ditësh Hoyt Brian Yee i tha presidentit serb se vendi i tij duhet të vendosë në cilën karrige do të ulet: në atë të BE-së apo në atë të Rusisë? Në Tiranë Hoyt Brian Yee mbështet ambasadorin Donald Lu, i cili po zhvillon një betejë fisnike për reformimin e drejtësisë dhe kundër korrupsionit në Shqipëri. Kur vjen në Kosovë Hoyt Brian Yee i përmend detyrat e shtëpisë që kanë politikanët.

Para se të emërohej në postin e rëndësishëm në Departamentin e Shtetit, siç quhet Ministria e Jashtme amerikane, Hoyt Brian Yee ishte zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Zagreb. Ai ka shërbyer në Kabul, në Selanik (si konsull i përgjithshëm), në Mal të Zi (si oficer për ndërlidhje, mes viteve 2002-2005, kur Mali i Zi ende nuk ishte i pavarur). Hoyt Brian Yee ka punuar edhe në Haiti dhe në Paris. Për opinionin shqiptar me rëndësi është edhe kjo informatë: mes viteve 1996-1999 Hoyt Brian Yee ka shërbyer në selinë e NATO-s si zëvendësdrejtor i Zyrës private të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.

Pra, ka 20 vjet që Hoyt Brian Yee merret me Ballkanin, herë nga afër, herë nga larg. Pas 20 vjetësh duket se ky diplomat amerikan e ka humbur durimin. Në një debat të organizuar në Washington javën që shkoi ai tha: «Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Washington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve».

Kur lexon njeriu këso deklaratash, menjëherë të shfaqen disa imazhe interesante. Për shembull: ajo skena kur një nënpresident babaxhan (apo cinik?) amerikan e krahasonte një lider të Kosovës me themeluesin e Amerikës, George Washingtonin. Pastaj George Washingtoni i Kosovës i thoshte një jarani të tij në telefon: «Nesër kam me taku Hillarinë. Kanë me plasë». Skena tjetër: personazhi kryesor i «Aferës Pronto» ftohet në «Lutjet e Mëngjesit» në Washington. Pastaj e lexon zotin diplomat nga Amerika, i cili thotë: «Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Washington, ata nxjerrin përfundime». Në të vërtetë shumë njerëz në Ballkan tashmë kanë nxjerrë përfundime dhe bilanci nuk është pozitiv, sepse gjatë gjithë këtyre viteve kanë qenë pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kanë ledhatuar politikanët që dyshohet të jenë të korruptuar apo keqpërdorues të pushtetit, kanë bashkëpunuar me ta, i kanë lartësuar dhe ua kanë hapur gati të gjitha dyert në Washington. Nganjëherë këta politikanë dyert i kanë hapur edhe me qindra e mijëra dollarë që ua kanë paguar firmave lobuese.

Pak a shumë njëjtë ka vepruar edhe BE-ja dhe shtetet kryesore të saj. Kështu, me këtë aleancë me politikanë tejet të dyshimtë, SHBA-të dhe BE-ja kanë mbytur shumë shpresa për ndryshime në Ballkan. Në librin e korrupsionit në Ballkan Amerika e ka shkruar një kapitull të madh, voluminoz.

Kërkesat e qarta të Hoyt Brian Yee për të luftuar korrupsionin në rajon gjithsesi do të mirëpriten nga njerëzit që ende besojnë se ardhmëria e vendeve të tyre është brenda BE-së. Por, përvoja i ka mësuar njerëzit të mos kenë pritje të mëdha, madje të jenë edhe të dëshpëruar nga performanca e disa diplomatëve perëndimorë, për shembull, në Kosovë. Pasi erdhi në Kosovë si ambasador i SHBA-së, Christopher Dell, më 15 janar 2010 mbajti një fjalim, ku, mes tjerash, tha: «Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe për të akumuluar pasurinë». Pastaj gati tërë mandatin Dell e kaloi duke ia mbajtur anën hapur një strukture të korruptuar dhe kriminalizuar dhe të njohur me siglën PDK. Në fund shkoi të punojë në një firmë ndërtimore amerikane, e cila sa ishte ai ambasador fitoi tenderin për ndërtimin e autostradës mes periferisë së Prizrenit dhe periferisë së Malishevës. As sot e kësaj dite askush nuk e ka parë këtë kontratë. A u dogjën 500 apo 999 milionë euro nga buxheti i Kosovës? Askush nuk e di. Ose: e dinë vetëm ata që i kanë menaxhuar këto para.

Në vend se të denoncojnë politikanët e korruptuar, diplomatët amerikanë në Prishtinë nisën ta akuzojnë tërë popullin për korrupsion. Dell në fund të mandatit tha: «Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. (…) Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vetë shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme. (…) Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit. (…) Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksiononte kjo gjë në demokraci».

Domethënë: e korruptuar është shoqëria, jo doemos liderët, sipas Dellit. Kjo deklaratë është aq serioze sa thënia se për zgjedhjen e Donald Trumpit president janë fajtorë të gjithë amerikanët. Në mënyrë shumë kreative e shikonte korrupsionin edhe ambasadorja Tracey Ann Jacobson. Ajo në nëntor 2014 thoshte: «Çështja e korrupsionit nuk mund t’i atribuohet vetëm një partie. Për shembull kemi Fatmir Limajn nga Nisma që me sa e di ka dy akuza për korrupsion, pastaj Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur diku rreth 70 akuza për korrupsion kundër LDK-së në pushtetin lokal – Prishtinë… Do të thotë se Kosova ka njëfarë tradite të politikanëve të korruptuar». Klani «Pronto», partitë e haraçmbledhësve, rrjetet oligarkike ambasadorja nuk i përmendte fare.

Pas fjalimit të Hoyt Brian Yee a thua do të mbyllet ky kapitull? Thonë: shpresa vdes e fundit.

3 komente në “Mbi bashkëjetesën e Amerikës me politikanë të korruptuar të Ballkanit”

  1. marshalli Sali says:

    Kjo qe thoni ju zoti Robelli eshte me se e vertete dhe jo vetem per kosoven.Shiko shqiperine psh.Ambasadori Rajerson dilte se bashku me Berishen,kryetarin e grupit me pardesyte e bardha,kryemafiozin e tranzicionit te pafund te ketij vendi te vogel ,i cili aspiron per demokraci dhe bente propagande politike ne favor te partise te ashtuquajtur demokratike,ne kundershtim mne rregullat e njohura nderkombetare te mosnderhyrjes ne punet e brendeshme te nje vendi.Dhe pas tij dhe disa te tjere ish ambasadore kane mbajtur hapur anen e Berishes,pavaresisht se ishte ky famekeq qe shkelte me te dyja kembet normat e demokracise dhe u shnderrua ne personin me te rrezikshem per demokracine dhe perparimin e ketij vendi.Sic pohon me gojen e tij sot dhe ish ministri i jashtem i asaj kohe,Paskal Milo,pas organizimit dhe kryerjes se grushtit te shtetit te 1998 nga ana e Berishes,shtetet e bashkuara u mjaftuan vetem me mos aprovimin e veprimit te tij,kurse bene presjon ndaj kryeministrit dhe qeverrise se atehereshme qe ai te mos arrestohej dhe jo vetem ata,por sic citon zoti Milo dhe ambasadoret gjermane e italiane.Pra,fatkeqesia e ketij vendi,mafiozi Berisha qysh atehere dhe deri me sot,ka perfituar dhe shfrytezuar tolerancen e Amerikes,te Itaslise,Gjermanise etj etj,duke i bere ato njekohesaisht dhe pergjegjese te perkeqesimit te gjendjes se korrupsionit,droges,vrasjes se personave e rrembimit te tyre,vjedhjes se zgjedhjeve e konsiderimit te tyre si “jo demokratike e me probleme”,ngjarjeve te 21 janarit e te shperthimit ne Gerdec,vjedhjes se madhe spektakolare te CEZ-it dhe mbeshtetjes se cdo ceprimi kriminal ne kete vend,me te cilat eshte i perfshire dhe i akuzuar ky kerme politike e shoqerore e ketij populli e shteti.Sepse,neqoftese parlamenti dhe qeverria e nje vendei ka fakte e prova se nje politikan ka shkelur kushtetuten dhe ka kryer krim kunder shtetit e popullit te tij dhe kerkon ta hetoje e denoje dhe ti e pemngon drejtesine e vendit me pretekstin se “eshtre politikan(i pordhes)” atehere je apo nuk je bashkepergjegjes ne krimet e tij?.Shiko se cfare ndodh! Ish bodigardi dhe krahu i zgjatur i tij i djathte i tij,Izet Haxhjia,ka muaj e vite te tera qe me shkrimet e tij te publikuara deri me tani ne shtypin shqiptar jep vazhdimisht te dhena e fakte per krimet e kryera e urdherat e dhena dhe atij per te kryer nga ky plak i rrjedhur dhe eksiq nga mendja,i lindur per te kryer krime deri sa te iki nga kjo bote,deri dhe per te vendosur bombe ne godinen e ambasades amerikane ne Tirane dhe jo vetem qe prokuroria e kapur prej tij nuk ka levizur as gishtin e voigel,por as vete ambasada amerikane,qe e ka lexuar dhe e ka mesuar kete gje,nuk jane shqetesuar,te pakten publikisht dhe deri tani,por i bejne sehir dhe presin te shohin se cfare do beje tjeter ky pis.Duhet te vinte zoti Lu,qe te pakten me sa shohim,kerkon qe te vendoiset pak rregull ne kete shtet “bordello” te Sali Berishes,qe megjithese nuk eshte prej disa vitesh ne pushtet de jure,eshte “de fakto” ai qe e ben ligjin akoma me ate te nderhyrjeve te hapura apo te fshehta te tij apo te njerezve te tij,qe u shpeton shurra sa i degjojne emrin,qofsahin ne gjykate,ne prokurorine e llallushkes se dhjere,apo ne parlament,ku jane mbledhur dhe disa ish agjente te UDB-se si Flamur Noka nder te tjere e disa kamikaze te tij. Si mund te lejojne amerikanet dhe evropjanet,por dhe shteti shqiptar,qe prokuroria te mos hetojne akuzat publike te nje partie me emer ne shqiperi sic eshte LSI-ja e Ilir Metes e cila ne 2008 publikisht dhe ne menyre demonstrative ne parlanmentin e shqiperise ka denoncuar se “ka dokumenta,fakte e prova qe ky mafioz eshte agjent i sigurimit te shtetit dhe njekohesisht agjent i UDB-se jugosllave” me ane te kryetarit te grupit te saj parlamentar,Spartak Braho dhe kryetarit te LSI-se ,Ilir Meta dhe njeri nuk leviz,te pakten te hetoje,pa lere me te nisin proceduarat per venien e tij ne qyngje? Dhe me pas,guret levizen qe kur denoncohet Ilir Meta,presidenti i sotem,per korrupsion me ane te nje videoje te kapur dhe cohet ne gjykate,vihet ne levizje dhe e mbron po ky person i felliqur,duke e nxjerre Liken te pafajshem???Keto gjera qe i di gjithe populli shqiptar,i madh e i vogel,i di mire dhe me hollesi dhe ambasada amerikane dhe per pasoje qeverria amerikane si dhe ambasada italiane,gjermane etj,te cilat e kane mbrojtur me zell kete “xhevahir te djallit” per te mos u denuar si organizator i grushtit te shtetit ne 1998 dhe jo vetem.Pra,imazhi i shtetit dhe qeverrise amerikane ne evrope e ne bote nuk ka se si te mos prishet kur mbron kriminele te tille me damke dhe u jep dhe leje te vene dhe atje e te dalin ne fotografi me ta,duke u percjelle popujve te vendve te tyre mesazhin ” rrini urte e mos hani mut se une kam mbrojtjen e ketyre…”Nuk dihet saktesisht sesa milione dollare te vjedhur nga xhepat e shqiptareve i ka dhene Salihu Xhon Podestes,i cili per shume kohe ka lobuar pro tij tek presidentet amerikane.Dhe te njejten gje ka bere dhe Likja me lobiste amerikane per vizita atje,si kryetar i lershelise dhe per te dale ne fotografi me ta.Pra,ky “hale” me emrin e mallkuar Salih Ram Serbi per shqiptaret e ndershem, “rezidenti i rendesishem” i ish sigurimit te shtetit shqiptar, eshte peshqesh per shqiptaret, edhe se nje pjese jo e vogel e popullit e ka votuar ATE,por dhe se amerikanet nuk kane dashur qe ai te shkoje ne burg apo te largohet nga politika.Ndaj ai ferkon t…. me ambasadoret amerikane e te tjere ne shqiperi dhe s’i llogarit fare se rrojne apo nuk rrojne.Te shohim se cdo te ndodhe ne te ardhmen.Janari i vitit 2018 nuk eshte larg dhe do marrim vesh seriozitetin e politikes amerikane ne shqiperi dhe pas saj,ate te asaj evropjane.

  2. Baliu says:

    Me ne fund Robelli ka mare guximin ta pershkruaj perendimin ashtu si eshte, pa e idealizuar. Nje hap i vogel per njerzimin, e nje kcim i madh per gazetarine shqiptare.

  3. Albani says:

    Ju mire i shkruani mendimet tuaja por harroni se vete Amerika ka nje korrupsion qe te habit. Shikoni dhe lexoni ne shtypin Amerikan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje