Liria është një nga ekipet surprizë në kampionatin e Kosovës. Ajo drejtohet nga ish-kapiteni i Skëndërbeut, Bledi Shkëmbi, dhe ndodhet në mesin e tabelës, me 5 pikë më pak se kryesuesit e Llapit. Në 16 ndeshje Liria ka grumbulluar 25 pikë, ndërkohë trajenri Shkëmbi, në një intervistë për mediat në Kosovë, ka theksuar se diferencat mes kampionatit shqiptar dhe atij shqiptar janë të mëdha:
Paraqitja e Lirisë në kampionat
“Në përgjithësi, jam i kënaqur, pasi kemi bërë mirë deri në këto momente. Kemi pasur disa luhatje dhe nuk kemi arritur ende te vazhdimësia e rezultateve. Në këtë fazë kemi edhe 3-4 ndeshje dhe synojmë maksimumin. Të shohim se ku do të jemi me rivalët tanë.
Pritshmëritë
“Me pritshmëritë jemi aty ku e kemi menduar. Patjetër që mund të kishim edhe ndonjë pikë më shumë, por ky është futbolli, kur mendon të marrësh maksimumin, nuk e merr dhe kur s’e mendon, e merr atë. Megjithatë, ajo që dua të them është se në fund do të dalim me aq pikë sa e meritojmë.”
Dallimi midis Shqipërisë dhe Kosovës
“Dallimi i parë është infrastruktura, fushat ku stërviten lojtarët dhe stadiumet ku luhen ndeshjet. Nëse rregullohen këto, edhe Kosova do ta arrijë kampionatin shqiptar. Kjo është një nga arsyet kryesore të rritjes së futbollit në Shqipëri, por gjithashtu është punuar më me seriozitet nga stafet e të gjitha klubeve”, – përfundoi Bledi Shkëmbi.