Skandali i milionave për lobim në SHBA, Balla akuza Bashës: Cili është burimi i atyre parave?

25 Nëntor 2017, 13:07Politika TEMA

Taulant Balla ka adresuar akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me skandalin e kontratës së lidhur nga PD me një kompani Amerikane ku janë shpenzuar miliona para.

Përmes një statusi në ‘Facebook Balla ka pyetur Bashën se cili është burimi i atyre parave.

Partia Demokratike rezulton të ketë paguar plot 825 mijë USD për lobim në Uashington gjatë periudhës mars-qershor 2017.

REAGIMI I BALLËS

Lulzim Basha po fshihet nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve por edhe anëtarësisë së Partisë Demokratike për të sqaruar skandalin ku e ka futur këtë parti.

Sigurisht që fillimi i hetimeve nga Prokuroria mbi kontratën e paligjshme të Lulëzim Bashës me një kompani të huaj, të paguar nga një burim i padeklaruar parash, është një detyrim ligjor.

Por Lulëzim Basha duhet të përgjigjet menjëherë cili është burimi i atyre parave?
Pse nuk i ka deklaruar ato para dhe ato pagesa në KQZ dhe si kanë përfunduar në një parajsë fiskale?

I bëj thirrje Klement Zgurit dhe administratës së KQZ të mos bëjnë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e subjektit politik PD, apo ndonjë falsifikim protokolli për gjoja deklarim të mëparshëm, sepse është vepër e rëndë penale, prishje e provave të veprës penale.

Ku i ka gjetur Partia Demokratike dhe Lulzim Basha këto shuma marramendëse parash? 1 milion dollarë? Këta që flasin për ditë për para të pista, e vota të blera, ku i kanë gjetur 1 milionë dollarë?

Pse Lulzim Basha ka përdorur llogaritë e një kompanie off-shore për të bërë pagesa në emër të Partisë Demokratike?

Cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë, nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

Në emër të kujt janë regjistruar kompanitë off-shore në Belizë?

A ka dijeni Lulzim Basha se kush janë personat nga Shqipëria që kanë tranferuar para në llogaritë e kompanive off-shore në Belizë, dhe më pas tek Binniatta Trade, për të përfunduar në pagesa për llogari të Partisë Demokratike?

Kush janë lidhjet e Lulzim Bashës me këta persona? A ka lidhje familjare me ndonjërin nga personat me llogari bankare në Belizë?

A është financuar Partia Demokratike nga para të pista nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale?

Kujtojmë edhe një herë se Lulzim Basha dhe askush tjetër e di të vertetën e përdorimit të vulës së kryetarit të PD për këtë makinacion financiar që do të kishte tronditur çdo parti politike në çdo vend demokratik.(TemA)

1 komente në “Skandali i milionave për lobim në SHBA, Balla akuza Bashës: Cili është burimi i atyre parave?”

  1. @autori says:

    Mire ben edhe Taulanti i Rames qe kerkon llogari per origjinen e parave te lobingjeve, por te mos kufizohet vetem per kundershtaret politike. Ka plot raste edhe ne klanin e tij politik, qe parate dhe pasurite duken sheshit qe jane nga burime kriminale. Morali i fabules eshte qe pastrimi duhet te filloje nga vetja, qe te kete efekt per te tjeret..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje