Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit ka dalë në një raport për ditën e sotme lidhur me gjendjen e zonave në vend si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Në njoftim thuhet se në mjaft zona reshjet po vijojnë por me intensitet më të ulët.
Lidhur me zonat e rrezikuara, problematike paraqitet situata në Vjosë, Fier e Vlorë.
Bëhet me dije gjithashtu se FA së bashku me instancat e tjera kopetente kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Njoftimi i plotë:
Mbi vendin tonë ka vijuar mot me reshje shiu, por intensiteti i tyre po bie. Rreziku kryesor paraqitet në pellgun e lumit Vjosë, sidomos në Vlorë dhe Fier.
Për përballimin e emergjencës, strukturat shtetërore kanë punuar pa ndërprerje përgjatë natës. Forcat në terren kanë vijuar evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, edhe pse në disa raste ka pasur rezistencë nga qytetarë të veçantë. Gjatë natës në kushte ekstreme janë zhvilluar me sukses disa operacione të kërkim-shpëtimit.
Në zonat e rrezikuara janë larguar dhe shumë krerë bagëti nga rreziku.
Vjosa ka çarë argjinaturën në afërsi të urës së Mifolit dhe ka vërshuar drejt fshatrave Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull. Në këtë zonë ka prani uji në 300 banesa dhe 1,000 ha tokë, si dhe janë përmbytur 310 ha të tjerë. Për përballimin e gjendjes janë angazhuar 710 forca dhe 152 mjete.
Rrugët janë mbajtur të lira. Vështirësi paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë, ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë, ndërsa në akse të tjera po punohet për eliminimin e rrëshqitjeve të dherave.
OSHEE ka vijuar riparimin e defekteve për të mundësuar furnizimin me energji të qytetarëve. Aktualisht punohet për të stabilizuar gjendjen në nënstacionet e Zëmblakut, Maliqit, Radhimës dhe Memaliajt. Në vend janë pa energji 45,000 abonentë.
Nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë.
Funksionimi i plotë i hidrovoreve ka qenë dhe mbetet një ndër elementët më pozitivë gjatë kësaj gjendjeje të rëndë.
Situata do të vijojë të mbetet e rëndë dhe, për këtë arsye, kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore që janë angazhuar me sakrifica të mëdha dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës në operacionet në terren për përballimin e situatës.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon subjektet private dhe organizatat jo qeveritare që janë angazhuar në përkujdesjen ndaj personave të evakuuar apo në dhënien e ndihmave materiale dhe ushqimore për të prekurit nga gjendja dhe fton të gjithë qytetarët, subjektet tregtare, bizneset dhe organizatat e tjera humanitare që të përgatiten për t’u përfshirë në fazën e likuidimit të pasojave të përmbytjes, menjëherë sapo operacionet e aktuale të kenë përfunduar.
Komiteti u bën thirrje qytetarëve që vijojnë të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet ende mjeti më i rëndësishëm për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.
Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.
Thirrje e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:
Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.