Më 24 nëntor është zhvilluar në Gjykatën e Tiranës procesi i radhës në kuadër të fazës së dytë të gjykimit të falimentimit të firmës famëkeqe piramidale Sude.
Kjo tregon se ende nuk janë shuar shpresat për kreditorët e kësaj piramide që të marrin edhe një pjesë tjetër të parave që lanë, më se 20 vjet më parë, në këtë subjekt huamarrës.
Procesi ka arritur aktualisht në fazën e shqyrtimit të kërkesës, së paraqitur në Gjykatë nga administratorja e vendosur nga shtetit Mimoza Çibuku, për “dhënien e miratimit për depozitimin në një bankë të nivelit të dytë të shumave ende të patërhequra nga kreditorët, në bazë të Nenit 161 të Ligjit ‘Për falimentimin”.
Veç këtyre, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë në shitje edhe disa asete të tri kompanive rentiere, shkruan Shqiptarja.com.
Në shitje qeveria ka nxjerrë aktualisht nëntë ish-prona të sekuestruara nga Vefa, katër nga Kamberi dhe një nga Beno. Prona me vlerë më të madhe fillestare ankandi është trualli, mbi të cilin ishte ndërtuar fabrika e salcës në Vlorë, me mbi 84 milionë lekë dhe sipërfaqe më shumë se 1.4 hektarë.
Më tej vijon një stacion pompimi dhe depo uji në Paskuqan me 11 milionë lekë të reja dhe me të njejtëm vlerë edhe ish-pularia e Patosit, ish-pulari në Lushnje me objekt 400 metra katror sipërfaqe, etj. Këto janë vlera fillestare, me të cilat asetet dalin në ankande. Pjesëmarrësit në to mund të japin vlera të ndryshme, ku do të fitojë më e larta.