Qytetarët dhe bizneset shqiptare janë tashmë të çliruar nga barra e paraqitjes së dokumentacioneve në letër, kur kërkojnë të marrin shërbime të ndryshme pranë zyrave të noterëve.
Me anë të një marrëveshjeje, të nënshkruar mes kreut të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), znj. Mirlinda Karçanaj dhe Presidentes së Dhomës së Noterëve, znj. Mimoza Sadushaj, prej kësaj të mërkure noterëve u çelet rruga ligjore që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve për përfitimin e shërbimeve publike të shtetit shqiptar, duke patur kështu një rol të ri në portalin qeveritar e-Albania.
Marrëveshja rregullon pozitën ligjore të noterëve në përdorimin e të dhënave që gjenerohen nga portali. Tashmë ata sigurojnë në kohë reale certifikata personale, familjare si dhe dokumente të tjera të qytetarëve që kanë përballë dhe që kërkojnë marrjen e një shërbimi në zyrën e noterit.
Njëkohësisht, noterët mund të ndihmojnë qytetarët të aplikojnë në shumë nga shërbimet elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania si njësimi i diplomave, aplikime për licenca në Qendrën Kombëtare të Biznesit etj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, znj. Karçanaj sqaroi përdoruesit aktualë të portalit se nënshkrimi i sotëm nuk ka të bëjë me përdorimin e zakonshëm të shërbimeve të portalit.
“Në momentin kur një qytetar kërkon të kryejë një procedurë të caktuar në zyrën e noterit, nuk ka më nevojë të ketë me vete certifikatën e personale apo atë familjare, pasi është vetë noteri i cili duke aksesuar portalin, siguron në kohë reale të dhënat për të.
Gjithashtu, përmes marrëveshjes, vetë noterët mund të ndihmojnë qytetarët në aplikimin për shërbime të ndryshme elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania”, u shpreh znj. Karçanaj.
Për të orientuar noterët në përdorimin efikas të shërbimeve që ofrohen nga portali e-Albania, AKSHI do të organizojë trajnime gjatë javëve të ardhshme.
AKSHI është institucioni menaxhues i portalit qeveritar e-Albania që ofron për qytetarët dhe bizneset mbi 520 shërbime elektronike të institucioneve shqiptare. Prej portalit e-Albania, sot qytetarët dhe biznesi shkarkojnë dokumente me vlerë ligjore, pas hyrjes në fuqi të vulës dixhitale.
Vetëm gjatë muajit nëntor janë gjeneruar online në portalin e-Albania rreth 20,000 vërtetime tatimore; mbi 97,000 certifikata të gjendjes civile; mbi 17,000 karta shëndeti dhe në total portali ka mbi 360,000 përdorues të regjistruar.