A qajnë vetëm fëmijët shqiptarë në aeroplan?

13 Dhjetor 2017, 10:21Sociale TEMA

Nga Enver Robelli

Fëmijët nganjëherë janë çmendurisht të mirë, nganjëherë të çmendin. Cinikët mund të thonë: më mosmirënjohës janë fëmijët nën moshën dyvjeçare. Ata fluturojnë falas dhe prapë qajnë.

Sapo të hipin në avion fillojnë koncertin kolektiv. Në avionin e linjës Zürich-Prishtinë duket se një dorë e panjohur dirigjenti koordinon zërin vajtues të të gjithave bebeve shqiptare. Sapo ndalet njëri afër kabinës së pilotit, ia fillon tjetri në fund, mandej shfaqet një faqekuq diku nga mesi dhe pas pak minutave ia lëshon radhën një qejfprishuri.

Shpesh s’bëjnë punë as përpjekjet e stjuardesave për t’i pajtuar disi fëmijët që gëzimin për ardhjen në Kosovë e shprehin me vaj, britma e ulërima. Një lodër, një çokollatë, një gotë me ujë – asgjë s’bën punë. Prindërit nuk kanë paguar asgjë për biletë, por çmimi që paguajnë në këto udhëtime është i shtrenjtë: nervat!

Të lidhur me një rrip, ndërsa avioni i shtyrë nga qindra-mijëra litra kerozinë me gati 800 kilometra në orë çan qiellin 10 mijë metra mbi tokë – prindërit janë të pafuqishëm të qetësojnë më të dashurit e tyre.

Disave u vjen keq për këtë, disa sikur i inkurajojnë më të vegjlit e tyre të ngritin tonin e vajit, ndërkohë që pasagjerët e parë humbin durimin. Disa marrin rrugën për në tualet, para të cilit tashmë është krijuar një rend i gjatë për shkak se një plake të veshur me dimi me 777 palë i duhet shumë kohë derisa të dalë nga ajo birucë aeronautike. Të tjerët kërkojnë nëpër xhepa dëgjuesit për të kaluar disi kohën me muzikë.

A qajnë vetëm fëmijët shqiptarë në aeroplan? Shumë njerëz (sidomos shumë njerëz shqiptarë!) kësaj pyetjeje i përgjigjen me po. Por, kjo s’është e vërtetë. Ka blogje e gazeta gjermane që shkruajnë për këtë temë. Përfundimi i tyre është ky: të gjithë fëmijët qajnë në avion.

Është ngushtë, shpesh është vapë, ambienti është i panjohur, zhurma… Të gjitha këto rrethana sikur nxisin fëmijët të shprehin pakënaqësi. Ndoshta fëmijët shqiptarë qajnë më shumë për shkak se shpesh prindërit përpiqen t’i qetësojnë me agresivitet, me demonstrim të «autoritetet», me ndonjë flakaresh, britmë, thupër e mjete të tjera nga arsenali i edukatës iliro-pellazge.

Megjithatë, edhe fëmijët e gjermanëve, amerikanëve, zviceranëve dhe islandezëve qajnë në avion. Skena si kjo: një nënë joshqiptare përpiqet të qetësojë fëmijën duke ia lëshuar një film në iPad. Efekti është zero. Një biskotë? Harroje. Një lodër? E hedh në tokë me nervozë.

Nuk duhet lënë fajin vetëm fëmijëve për shprehje të emocioneve gjatë fluturimit. Një anketë e Virgin Atlatic ka treguar se 55 për qind e udhëtarëve kanë thënë se së paku njëherë gjatë fluturimit kanë pasur «emocione të fuqishme». 41 për qind e burrave kanë pranuar se kanë mbuluar kokën me batanije për të fshehur lotët nga pasagjerët e tjerë. Ka burra të tillë, për shembull në linjën Prishtinë-Zürich, të cilët për të mundur frikën ndjejnë nevojë që fqinjit të tyre në avion t’ia rrëfejnë tërë jetën, përfshirë edhe të gjitha detajet e ndërtimit të shtëpisë «me dy hymje» për tre djem.

Nuk ka ndonjë konfirmim shkencor, por prirja e njerëzve për të qarë në avion është evidente. I shkëputur nga toka, pa lidhje telefonike, pa email, WhatsApp e marrëzi të tjera digjitale njeriu bie në melankoli. Në tokë ne jemi në gjendje të kontrollojmë gati çdo gjë. Ne vendosim nëse do të ngjitemi në atë kodër apo mal, ne mbajmë nën kontroll veturën dhe biçikletën, madje edhe treni ka një fre, të cilin mund ta prekim në rast rreziku. Në avion veprojnë fuqi, të cilat ne nuk mund t’i kontrollojmë.

Nëse qajnë të rriturit, përse atëherë të mos qajnë fëmijët. Është sjellje pothuaj normale. Nëse avioni fluturon shumë herët për në Prishtinë (dhe shumica fluturojnë mes orës 6 dhe 8), asnjë prind të mos humb nervat për shkak se fëmija i tij qan. Fëmijës i është prishur ritmi i ditës.

Të zgjohesh në orën 4 dhe të jesh në orën 5 në aeroport edhe për të rritur nuk është përjetim fantastik. Në avion ajri është i thatë, andaj është me rëndësi që fëmijët të pinë sa më shumë lëngje, më së miri ujë dhe çaj. Jashtë avionit temperatura mund të jetë rreth minus 40 gradë, por brenda temperatura zakonisht është normale, andaj mos i vishni fëmijët me shumë rrobe.

Sepse një fëmijë i veshur me shumë rrobe s’mund të lëvizë si duhet dhe shndërrohet në një pinguin agresiv. Ka edhe shumë këshilla të tjera. Pyetni pediatrin. Edhe për këshilla të tilla në Zvicër e paguani sigurimin shëndetësor.(DP)

3 komente në “A qajnë vetëm fëmijët shqiptarë në aeroplan?”

  1. Dardan Gashi says:

    I nderuari qenef islamik Enver al Rrobelloglliu,

    si duket ti o qenef nuk ke udhetuar askund tjeter perveq ne distancen Prishtine / Zuritzh…..sepse une e kam verejte se te gjithe femijet qajnje njesoj si ne aeroplan apo tjeter kund. Por ti je nje prej derrasave me te popullarizuara te qenefizmit amntishqiptar….qe veq han mut kunder gjithqka qe eshte SHQIPTARE. Ti edhe ne horoskop je peder…edhe qenef islamik

  2. gaz says:

    Eshte luhatja e presionit te kabines gjate ngritjes dhe uljes qe i bezdis veshin e brendshem, ngaqe jane me te ndjeshem.

  3. 17nentori says:

    Femijet qe qajne ne aeroplan eshte shenje:
    1) qe jane llastuar aq shume, sa nuk kane tolerance per asgje aq te kufizuar si aeroplani (shqiptaret jane kampione bote per te llastuar prandaj edhe gjene shume qe bejne “muzike” ne aeroplan)
    2) qe prinderit jane te papergatitur te reagojne me mjete (lodra, vizatime, nje ushqim i vecante qe i pelqen etj qe te pergatisin femijen per rrugen)
    (shumica e prinderve shqiptare jane teresisht te papergatitur, dhe presin te trajtohen qe ne aeroplan sikur jane ne hotel all inclusive me pese yje… dhe derisa mesojne sesi dhe qysh, femijet jane rritur. shume nga keta prinder jane te sigurte dhe te bindin edhe ty me argumente se eshte detyre e stjuardeses ti qetesoje femijet se qenka e “paguar” bileta dhe ska nevoje as te sjellesh nje shishe uje)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje