Lobimi i Bashës kundër Shqipërisë, PD i fsheh KQZ edhe kontratat me Podestën

15 Dhjetor 2017, 08:40Politika TEMA

Merr përmasa të tjera fenomeni i përdorimit të parave të pista nga partitë kryesore politike në Shqipëri, për lobime, baltosje të kundërshtarit politik dhe blerje takimesh, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pagesa në të zezë e 675 mijë dollarëve, nga një kompani offshore, (paratë kanë shkuar për kompanitë “Stonington Strategies”, “Muzin Capitol Partners” dhe “Biniatta Trade LP”), për llogari të Partisë Demokratike, gjatë ngujimit në çadër, nuk është shuma e vetme që PD nuk ka deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bashkë me burimin e parave.

Në raportet vjetore financiare që Partia Demokratike ka dorëzuar pranë KQZ, gjatë 7 viteve të fundit, nuk figurojnë edhe shumë kontrata të tjera lobimi, me vlerë qindra mijëra euro. Shqiptarja.com ka verifikuar shpenzimet në vitet zgjedhore dhe jozgjedhore të Partisë Demokratike që nga viti 2011 deri në vitin 2017, të pasqyruara në raportet financiare, të administruara nga KQZ. Në shpenzimet e deklaruara nga subjekti politik më i madh në opozitë, përpos të tjerave, nuk figurojnë as kontratat e lobimit të Partisë Demokratike me Podesta Group.

Kontrata është nënshkruar në 8 mars 2016, ndërsa parashikonte që Podesta Group do të organizonte takime të krerëve të PD me zyrtarë të SHBA-së, anëtarë të Kongresit dhe organizata jofitimprurëse. Kohëzgjatja dhe kostoja e kësaj kontrate nuk u publikuan kundër nga PD si dhe nuk u figuron në raportin financiar dorëzuar në KQZ, për vitin 2016.

Arsyeja e fshehjes së kontratës në fjalë dhe kontratave të tjera, qëndron tek mungesa e burimit të ligjshëm të parave. Partitë kryesore politike deklaron të ardhura vjetore në vlerë më të ulët se sa kontratat e lobimit. Dokumentimin dhe ndëshkimin e kësaj praktike abuzive ndoshta do ta mundësojë vetëm drejtësia e re.

Ndryshimi i skemës

Deri në vitin 2013, Partia Demokratike përdorte partë publike për lobim. Pra, kontratat i bënte qeveria. Nga viti 2011 deri në vitin 2013, PD në qeveri ka paguar Podesta Group me nga 60 mijë USD në muaj, në këmbim të lobimit për përmirësimin e marrëdhënieve politike mes qeverive të të dy vendeve. Gjithsesi, këto kontrata kanë konsistuar për të sulmuar opozitën në atë kohë.

Ndërsa pas vitit 2013, kontratat janë financuar nga vetë Partia Demokratike si subjekt, me para që shpeshherë nuk u dihet burimi. Këto kontrata lobimi pas vitit 2013 kanë shërbyer edhe për të përhapur akuzat në SHBA kundër qeverisë së Edi Ramës. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Paligjshmëria konsiston në faktin se kontrata të tilla, të zbuluara nga mediat, nuk janë deklaruat në KQZ si shpenzime. Pas vitit 2013, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm dy kontrata në vitin 2017 me Barnes & Thornburg LLP, me vlerë 6,385,000 lekë dhe 6,200,000 lekë.

Detyrimi ligjor

Ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë që partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjeve, si gjatë viti zgjedhor, ashtu edhe gjatë viteve jozgjedhore, depozitojnë një raport në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet. Kontratat e lobimit përfshihen tek shpenzimet e partive politike. Ligji për partitë politike parashikon që Partitë politike dorëzojnë raportet financiare një herë në vit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për burimet e financimit dhe shpenzimet.

Partitë politike dorëzojnë raportin vjetor financiar, së bashku me raportin e auditimit, tëkryer nga ekspertë kontabël të licencuar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Dorëzimi i raportit financiar vjetor bëhet nga personi përgjegjës për financat në partinë politike ose personi i përcaktuar sipas statutit të partisë politike, brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të partisë duhet të dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.

 

Raporti, bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve të PD, për vitin 2016

Totali i të ardhurave, 57 179 867 lekë.

Financime nga buxheti, 57 179 867 lekë.

Shpenzimet në total, 58 581 001 lekë.

Shpenzime personeli, 29 872 992 lekë.

Shpenzime të tjera, 22 463 304 lekë.

Raporti, bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve të PD, për vitin 2017

Totali i të ardhurave, 88,045,551 lekë

Totali i të ardhurave nga fondet publike, 88,045,551 lekë

Totali i shpenzimeve, 58,197,289 lekë

Shpenzimet e PD, për vitin 2017

Konsulenca Barnes & Thornburg LLP, 6,385,000 lekë

Konsulenca Barnes & Thornburg LLP, 6,200,000 lekë

Media, 4,000,000 lekë

Materiale, 4,800,000 lekë

Mitingje/tubime dhe aktivitete në fushatë, 3,000,000 lekë

Materiale promocionale, 3,036,000 lekë

Mitingje/tubime dhe aktivitete në fushatë, 2,000,000 lekë

Media, 700,500 lekë

Media, 1,363,349 lekë

Media, 1,359,336 lekë

Media, 3,543,600 lekë

Materiale promocionale, 1,000,000 lekë

Media, 421,200 lekë

Media, 3,000,000 lekë

Mitingje/tubime, 2,500,000 lekë

Mitingje/tubime dhe aktivitete në fushatë, 2,500,000 lekë

Media, 1,448,971 lekë

Media, 1,333,000 lekë

Media, 1,366,325 lekë

Konsulenca, 1,534,000 lekë

Media, 3,000,000 lekë

Media, 1,635,900 lekë

Mitingje/tubime dhe aktivitete në fushatë 250,000 lekë

Konsulenca Clearpath Strategies 1,820,109 lekë./Shqiptarja.com

1 komente në “Lobimi i Bashës kundër Shqipërisë, PD i fsheh KQZ edhe kontratat me Podestën”

  1. Kozmo says:

    MBLIDHENI MENDJEN NUK KA WETING PER KETA . KANE PAGUAR SHUMA TE MEDHA PER TE RUAJTUR LEKUREN E TYRE . HARROJENI KETE FARE WETING?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje