Partia Demokratike është duke u përpjekur me të gjitha format për të fshehur takimin sekret të kryedemokratit Lulzim Basha në Edinburgh të Skocisë.
Edhe pse në regjistrin e foltores së Kuvendit grupi parlamentar i PD-së ka vendosur që Basha të flasë dy herë me kohë të plotë nga 10 minuta secila, paraqitja e tij fizike mungoi.
Ashtu siç mund të shihet edhe nga protokolli i Kuvendit siguruar nga “TemA”, Lulzim Basha ka shprehur vullnetin për t’u paraqitur dy herë.
Para nisjes së seancës Parlamentare, mediat komentuan faktin se lideri i demokratëve nuk do të merrte pjesë në seancën plenare, çka nxiti selinë blu të bënte një sqarim të menjëhershëm ku tregonte se konservatorët britanikë kishin dërguar një ftesë për të marrë pjesë në Londër në konferencën mbi Sfidat në Ballkanin Perëndimor.
“Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Basha do të zhvillojë takime me parlamentarë, drejtues dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë Britanike,” thuhet në njoftim.
Kushdo që ndjek lëvizjet e fundit në selinë blu sa i përket kësaj çështje mund të ngrerë këto pikëpyetje:
“Pse selia blu zgjedh të raportojnë ftesën zyrtare të britanikëve në një kohë kur ftesat dihet se vijnë disa ditë para organizimit të aktivitetit?
Pse selia blu ka regjistruar emrin e kryedemokratit Basha në axhendën zyrtare të Kuvendit kur pretendon se Basha ka qenë i ftuar nga britanikët dhe e dinte që ai nuk do të ishte prezent?
Pse nuk bëhet transparente ftesa për publikun?”
Deri më tani këto pyetje ngjallin dyshime të forta.
Nga ana tjetër kampi kundërshtar ka adresuar akuza të forta për këtë fluturim të pazakontë të Bashës duke thënë se ai ka fluturuar në Edinburgh të Skocisë me qëllim mbylljen e pazareve për përdorimin e parave të pista në lobim.
Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i cili nuk kurseu edhe retorikat e ashpra me nën-kryetarin e PD-së Edi Paloka.
Ai ka thënë se shefi i demokratëve nuk ka shkuar në Londër por në Edinburg, qyteti ku u nënshkrua marrëveshja 1 milionë dallarëshe për lobim në SHBA.
Balla ka shtruar fillimisht pyetjen tek demokratët se “Ku është Lulëzimi sot?” duke ofruar vetë një përgjigje.
Sot Basha është në vendin ku është bërë pagesa 680 mijë dollarëve. Ç’kërkon Lulzimi në Edinburg, vendin ku është zyra qendrore e kompanisë e cila ka marrë pagesat. Lobing bëjnë të gjithë, por nga dolën këto para. Partia Demokratike i detyrohet një shpjegim Shqiptarëve dhe elektoratit të saj”, ka thënë Balla.
Fill pas kësaj mori fjalën nënkryetari Edi Paloka i cili tha nga foltorja se ka në celular ftesën e ardhur nga britanikët por nuk ofroi asgjë konkrete.
“Kam këtu ftesën e partive konservatore. Basha është në konferencën e partive konservatore në Londër. Jo se nuk e dini sa ordiner është zotëria, por përpiqen të hedhin shashka dhe bomba tymuese për të mbuluar 20 milion eurot e Habilajve” tha deputeti i PD-së.
Ndërkohë edhe pas akuzave të forta të mazhorancës dhe dyshimeve në media për shkak të dinamikës, ende nuk ka një sqarim bindës nga kampi blu për të sqaruar me fakte dhe argumente fluturimin e papritur të shefit të tyre. (TemA)
Katastrof !!
Po mire, shkoni ne Rinas dhe kontrolloni per bileten , o avionin personal te Bashes ose mos i ka derguar Fazlliçi ndonje kaçator dhe e nxirrni ne publik oline.