Arta Marku ka marrë zyrtarisht detyrën e prokurores së re të përgjithshme të përkohshme.
Ajo u zgjodh një ditë më parë mes tensionit politik si kryeprokurore e përkohshme me 69 vota pro, dy kundër dhe dy abstenim.
Kryeprokurorja e re
Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku ka mbaruar studimet universitare në vitin 1999 dhe shkollën e magjistraturës në vitin 2001.
Marku ka punuar për një periudhë të gjatë kohore në prokurorinë e Fierit dhe atë të Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme si shefe e njësisë task-forcë në vitin 2006 apo edhe zëvendës drejtuese deri në vitin 2016.
Referuar CV së paraqitur por edhe pyetje-përgjigjeve nga Komisioni i Ligjeve, 41 vjeçarja ka nisur karrierën në kohën kur kryeprokuror në qytetin e Shkodrës ishte ngarkuar deputeti socialist Ulsi Manja.
Ndër dosjet e hetuara prej saj gjatë 16 viteve është dosja e pedagogut Fran Qafa që u paraqit në gjykatë.
Sa i përket numrit të hetimeve, Marku dha një sqarim përpara anëtarëve tek Ligjet, ku tha se kishte firmosur mjaft dosje të hetuara prej kolegëve dhe ka kërkuar vendimin e Gjykatave.
Ajo pritet te shërbejë në këtë pozicion deri në formimin e organeve të reja të drejtësisë të cilat do të zgjedhin kryeprokurorin e ri në bazë tëreformës në drejtësi.(TemA)