Kur Gatuzo mori drejtimin e Milanit në fund të nëntorit, drejtuesit kuqezinj thanë se ai nuk do të ishte kalimtar, por në fund të sezonit do të bëhen llogaritë. Por “deti” kuqezi mbetet i trazuar dhe është normale që të shihet për një “port” të sigurt.
Në skuadër është investuar jo pak dhe nuk do të ketë revolucion. Është më e thjeshtë të gjesh një trajner të ri, të zotin për ta stabilizuar ekipin. Roberto Mançini, aktualisht trajner i Zenitit, është ideja e fundit e kuqezinjve. Ka fituar në Itali dhe jashtë saj.
Por ka edhe pengesa, sepse Mançini ka një pagë shumë të lartë, rreth 8 milionë euro në vit. Dhe konkurrenca mund të bëhet me një projekt shumë serioz, ndoshta me kombëtaren e Italisë.
Në Rusi, Mançini është larg vendit të parë (8 pikë) dhe nuk është shumë i kënaqur nga kjo eksperiencë, ndaj dhe Milani do të provojë gjithçka.