Historia tronditëse e “Mozartit të futbollit”, që s’ju përul nazizmit

4 Janar 2018, 09:48Sport TEMA
Historia tronditëse e “Mozartit të futbollit”, që

Matthias Sindelar, futbollisti më i madh austriak i të gjitha kohërave u lind në vitin 1903 në Moravia nga një familje hebreje. Babai i tij vdiq në Isonzo në vitin 1917 dhe Matthias arriti të menaxhonte një lavanderi në Vjenë me nënën e tij dhe tre motrat. Por mendjen e kishte tek ato topa të improvizuara me të cilat ai luan në rrugë në kohën e lirë, derisa dikush e vë re dhe e fton që të luajë tek Hertha.

Prej këtu ai shpejt transferohet tek Austria Vienna dhe nuk largohet kurrë, duke fituar dy Kupa Mitropa, një Kampionat dhe gjashtë Kupa të Austrisë. Gjithashtu në “Wunderteam”, siç quhej ekipi kombëtar i Austrisë në vitet 30’ të udhëhequr nga Hugo Meisl, Sindelar bën mrekullira, duke shënuar 27 gola në 43 ndeshje të luajtura. Në atë kohë në Austri shndërrohet në një mit, aq shumë sa që popullariteti i tij bëri që ai të jetë një nga lojtarët e parë të zgjedhur si imazh i reklamave.

Sidoqoftë, fati i Sindelarit në mënyrë të pashmangshme përplaset me atë të vendit të tij, dhe jo vetëm për arsye fetare: 12 mars 1938 ndodh “Anschlusß”, aneksimi i Austrisë nga Gjermania. Atmosfera, që shoqëron këtë ngjarje përfshin gjithashtu edhe një ndeshje futbolli, e fundit e “Wunderteam” para se të absorbohet nga përfaqësuesja e Gjermanisë: më 3 prill, stadium Prater, legjendar i Vjenës është i mbushur, në tribunat hierarkët nazistë fërkojnë duart, duke parë talentet austriakë të cilët do ta bënin ekipin gjerman të madh.

Sindelar merr ekipin e tij nën kontroll, të mbetur pa trajner, pasi Meisl kishte vdekur para disa ditësh. Matthias është një uragan në fushë, dhe performanca e tij spektakolare, shoqërohet me gol, që zhbllokon rezultatin në minutën e 62-të. Ceremonia parashikonte që, në rast të golit, duhej realizuar një përshëndetje naziste tek tribuna e nderit, por Sindelari nuk e respekton dhe feston me gjithë forcën e tij.

Në të 71-n, sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, Karl Sesta dyfishon dhe e fikson rezultatin në 2-0. Në fund të ndeshjes pritej që të dyja skuadrat të ktheheshin tek autoritetet nazistë dhe të tregonin krahun e tyre të shtrirë në shenjë respekti, por dy golashënuesit austriak refuzuan dhe krahët e tyre mbetën të lidhur me trupin.

Goditjen përfundimtare ndaj Gjermanisë naziste, Sindelari e bën duke refuzuar të veshë uniformën e kombëtares të re që ka përthithur “Wunderteamin” e tij. Pas gjithë kësaj, “Mozart i futbollit” arrin ende të luajë disa ndeshje, duke mbrojtur ngjyrat e Austria Vienna (pavarësisht se presidenti i saj hebre ishte shkarkuar nga detyra), por vetëm sepse Gestapo në ato vite nuk mund t’i lejonte vetes që të zhdukte një personazh të tillë.

Më 23 janar 1939, Sindelari u gjet i vdekur pranë të dashurës, Camilla Castagnola, një infermiere gjithashtu edhe ajo hebreje, të cilën e kishte njohur në spital, ndërkohë që ishte shtruar për t’u shëruar nga një lëndim. Shkaku i vdekjes së tyre është ende një mister; versioni zyrtar flet për monoksidin e karbonit të çliruar nga një sobë me defekt, por ka edhe dikush që flet për vetëvrasje për shkak të pamundësisë për të pranuar Anschluß.

Dyshimet për vrasje politike u shtuan menjëherë, gjithashtu sepse Gestapo e mbylli çështjen menjëherë duke varrosur të dy trupat me nxitim. Madje edhe kjo vello misteri rreth vdekjes së tij, ndikoi në krijimin e mitit të e Sindelarit, të cilin Austria, menjëherë sapo rifitoi sërish sovranitetin e saj, e nderoi me një mauzole në varrezat qendrore të Vjenës.

Që atëherë, çdo 23 janar, zhvillohet një ceremoni e vogël e cila mbahet pranë varrit të yllit të “Wunderteam”, ku marrin pjesë krerët e Federatës së Futbollit dhe udhëheqësit e Austria Vienna-s, si dhe njerëz të zakonshëm që kanë kuptuar se kjo histori shkon përtej futbollit, ku gjithçka filloi me atë gol të mallkuar të shënuar kundër “vëllezërve” gjermanë.(EDS)

1 komente në “Historia tronditëse e “Mozartit të futbollit”, që s’ju përul nazizmit”

  1. fshatari pafshat says:

    Te tille “Moxarte” ka edhe sporti shqiptar, madje, edhe te rene per Atdhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje