Nga Alfred Peza
Retorika e zhvillimit të një proteste nga ana e opozitës, ka filluar përpara afër tri javësh, për një aksion politik dhe një ushtrim demokracie, që pritet të konkludohet ndoshta pas afër tri javësh të tjera. Një nismë që është artikuluar për herë të parë pas 18 dhjetorit, kur u zhvillua seanca e zgjedhjes së Kryeprokurores së Re të Përgjithshme.
Pavarësisht se kush është sebebi prapa shkakut real, pavarësisht se po përdoret një artific politik në vend të një kauze të vërtetë, momente të tilla shërbejnë si pika shumë të rëndësishme për këdo opozitë, që të maksimizojë fuqinë e vet, kundër një mazhorance të përbërë nga një parti e vetme në pushtet, e që sapo ka nisur e qetë ushtrimin e mandatit të saj të dytë qeverisës. Qoftë edhe thjeshtë e vetëm për të mbajtur të gjallë frymën opozitare, shpresën dhe optimizmin tek mbështetësit, përkrahësit dhe votuesit e tyre.
Më shumë se një mundësi për të parë dhe më mirë problemet e mazhorancës, protesta po provokon duke ekspozuar si rrallëherë publikisht, problemet e mëdha dhe reale të opozitës vetë.
Le ti parashtrojmë me radhë të gjitha momentet se ku shfaqet kjo problematikë.
Së pari, opozita në vend që të ishte e unifikuar, e bashkuar, e bërë njësh kundër qeverisë, ajo duket sot më e përçarë dhe e ndarë se kurrë më parë që pas zgjedhjeve të 25 qershorit të kaluar. Jo në një. As në dy. Por në plot tri kampe të mëdha e të ndryshme, dukeshëm me qëndrime diametralisht të kundërta e shumë larg njëra tjetrës.
Së dyti, PD si partia më e madhe e opozitës dhe kryetari i saj Lulzim Basha, në vend që të ishin në krye të gjithçkaje që lidhet me aksionin e lançuar prej tyre, si violinë e parë e kësaj orkestre të çakorduar, duket çuditërisht të jetë LSI dhe kryetarja e saj Monika Kryemadhi. E cila është shumë më aktive, shumë më e vendosur dhe më e qartë në opozitarizmin e saj.
Së treti, ka një xhelozi dhe mospranim të dukshëm mes qëndrestarëve dhe besnikëve të vjetër të PD, e mishëruar tek partitë tradicionale të së djathtës dhe kryetarët e tyre deputetë dhe opozitës së re, të përfaqësuar nga LSI.
Së katërti, kryetari i opozitës Lulzim Basha, nuk po e luan dot rolin e tij për të qëndruar mes palëve dhe nëpërmjet autoritetit të më të madhit, ti bashkojë e ti unifikojë ata, rreth një qëllimi më të madh politik. Me mungesën e një autoriteti të padiskutueshëm dhe me pavendosmërinë e tij, në vend të bashkimit, duket se ai po ndihmon në thellimin e çarjes.
Së pesti, aq i pafuqishëm duket lideri i opozitës për të vendosur rregull “në mbretërinë e hatërmbetjeve opozitare” sa ende edhe pas kaq ditësh, nuk cakton dot saktësisht e zyrtarisht qoftë edhe një datë, orë apo vend, për mbajtjen e kësaj proteste.
Sëfundi, si të mos mjaftonte e gjitha çfarë ndodh me lidershipin opozitar brenda gardhit të SHQUP, problemi më i madh e që përcakton gjithë problemet e tjera, duket se ndodhet jashtë atij rrethimi. E ai duhet kërkuar tek njerëzit, tek qytetarët opozitarë, tek anëtarësia, tek degët, kryetarët e tyrë nëpër bashki dhe strukturat e tjera partiake, të cilat me siguri ndjejnë ftohtësinë dhe pafuqinë për të motivuar dhe mobilizuar protestuesit. Sepse vetëm ata janë faktori venditar i suksesit apo i dështimit të protestës së parë opozitare për vitin e ri 2018. E ta mendosh që ky problem, buron në radhë të parë me sa duket, nga PD nga ajo parti, që organizonte çdo ditë protesta të tilla përgjatë opozitës së parë.
E parë nga ky këndvështrim, më shumë sesa hall i PS-së, i qeverisë, i pushtetit dhe i mazhorancës, protesta duket se është shndërruar në një hall të madh për opozitën vetë. Ndaj duhet ta mirëkuptojmë edhe hutimin dhe pavendosmërinë e krerëve të saj, gjatë këtyre orëve e ditëve të vështira për të./Alpenews.al
Halli i opozites jane 2: E para mungesa e frymes, motivimit dhe mesazhit politik te protestes. Protesta per rrezimin e qeverise se zgjedhur 6 muaj me pare me vote popullore nuk frymezon dhe nuk merr mbeshtetje nga shume veta. E dyta mundesite financiare te opozites. Dihet qe (anti) mitingashet e PD-se kane qene te paguar gjithmone (perjashto ketu ate pjese te (ish) administrates dhe ish pushtetareve. Per njerezit e tjere do te duhen te pakten 50 euro per person (10 Euro per transport, 10 euro pagese cash, 10 euro per ushqim dhe 20 euro per organizim dhe vjedhje. E rendesishme te thuhet qe edhe ketu organizuesit do vjedhin). Ne gjendjen qe eshte sot opozita dhe duke gjykuar nga raportet financiare, financat e opozites jane bosh, sponsorizuesit jane pakesuar ndjeshem pa asnje shprese per tu permiresuar. Keshtu pa fryme dhe pa para Opozita do ta kete te veshtire te organizoje protesta popullore. Zgjidhja e vetme eshte per opoziten eshte te filloi nga e para, te organizoje/frymezoje bazen dhe te krijoje frymen dhe shpresen tek populli. Per te bere kete do te duhet nje lidership i ri. Deri kur kjo te ndodhe Rama do vazhdoje i qete dhe te forcoje pozitat e tij