Lindje a Perëndim? Në shtëpi është më mirë

8 Janar 2018, 10:06Blog TEMA

Nga Ilir Curri

Ne zihemi për të drejta, zihemi për kufinj, zihemi për rrugë, për parti, për ngjyren e lëkurës, për krahinë, për dialekt, për parkim, me pak fjalë zihemi për çdo gjë. Arsyet janë të shumta, por ndër kryesoret mund të radhiten natyra ekspresive, temperamenti, kushtet e jetesës, edukimi, apo tranzicioni i sistemit më gjithë tërësinë e tij e shoqërinë në këtë vend më emrin Shqipëri. Sado të themelta qofshin këto arsye, prapëseprape deficenca kolektive në kulturën e dialogut zë kreun e tyre. Zihemi në vend se të dialogojmë dhe arenat e grindjeve mbi baza politike, juridike, ekonomike, etnike etj, i zhvendosim që nga kafja e lagjes e deri në Parlamentin Europian ne Bruksel. Madje për të ndarë “sheret” në shtëpi/Shqipërinë tonë, na duhen arbitra ndërkombëtarë që të anuar ose jo na kthehen në pushtetarët më të fuqishëm në vend, e kjo nuk më bën të ndjehem dhe aq krenar si shqiptar, pasi pretendojmë mijëra vite ekzistencë si popull e shfaqim adoleshencë politike.

Por më kot pretendohet se rrafshi politik është më i munguari, jo shoqëria jonë vuan në shumë rrafshe, nga mungesa e dialogut, pranimit të tjetrit e kulturën së bashkëjetesës. Shoh se ne luftojme me simbole si në Mesjetë para se të mendojmë të ndërtojmë partneritete që sjellin zhvillim. Ne kemi mbetur prapa kur popuj rreth nesh, shumë më pak të lashtë se ne, kanë konsoliduar jo vetëm kufinj shtetërorë mbi troje të të tjerëve e institucione shtetërore mbi modele të provuara nga shoqëri të zhvilluara, por kanë konsoliduar njëherë e mirë kulturën e bashkëjetesës sociale, kulturore e fetare.

Ja të shohim histerinë kolektive në thirrjet për heqje të flamurit të një shteti tjetër nga një digë, thyerja e ndonjë simboli fetar nëpër rrugë, animet mediatike e institucionale në favor të figurave te një feje të caktuar, keqperdorimi i taksave në këtë drejtim, diskriminimi mbi baza të përkatësisë fetare të qytetarit e të ngjashme, para se të jenë faktorë të mundshëm destabiliteti, janë indikacione të mirëfillta se shoqëria jone ka nevojë të konsolidohet në rrafshin e dialogut dhe bashkëjetesës fetare. Fatkeqësisht, edhe mjaft zyrtarë si shumë te medhenj e te vegjël, e kanë kuptuar qe kah anti-religjioni e islamofobia eshte trendi ndërkombëtar, andej vijne shume avantazhe tokesore sot dhe nxijnë sa munden, por harrojnë këta “kodoshë zyrash” se minojnë paqen sociale duke i shërbyer Shejtanit, djallit në përçarjen e shoqërinë.

Këto e të tjera paraqesin nevojen e ndertimit te nje një platformë mbi ngritjen, thellimin e konsolidimin e dialogut si bazë e bashkëjeteses së gjithanshme sociale (kjo si detyrë e institucioneve të vendit, gjithsesi përtej konferencave, simpoziumeve e fotove shtrengimit te duarve të idheheqësve politikë e krereve fetare). Ndalemi tek kjo e fundit, për mua shoqëria shqiptare është e brishtë në kulturën e bashkëjetesës fetare. Si e tillë duhet trajtuar më kujdes për vetë ndjeshmëritë e saj. Pavarësisht, traditës familjare shqiptare për bashkëjetesë,  apo rezultateve të barazisë së “cullakosjes nga besimi fetar” të shqiptarëve nga regjimi komunist, prapeseprapë kjo shoqëri ka nevojë për edukim të vazhdueshëm në pranimin e tjetrit.

Balancat fetare mbahen vetëm duke punuar në çdo nivel mbi baza reale të vlerave të përbashkëta njerëzore, kombëtare, historike, fetare etj. Pranimi i tjetrit është kulturë dhe kultura formohet në vite e shekuj, ku dialogu ndërfetar është guri i themelit të kësaj kulture, pa harruar drejtësinë e pushtetit. Etiketimet me “serb, turk, grek, shkja, kaurr e pismilet” te shqiptarëve njëri me tjetrin në rrjetet sociale janë diskriminuese, raciste, por para se të dënohen duhen analizuar faktorët dhe trajtuar ato, te trajtohen para se të shfrytëzohen nga qarqe anti shqiptare e antikombëtare apo qarqe të interesuara për konflikte në trojet tona.

Ne si shoqëri, akoma rrezojmë flamuj e simbole në emër të fesë gjasme për llogari të kombit, duke i hyrë në hak këtij të fundit e duke i bërë padrejtësi fesë. Prandaj, kultura jonë fetare s’ka pse lihet pre e nacionalizmës primitive të njeanshme, mohuesve të identitetit fetar, planeve të orientuara nga jashtë, ideologjizmave të lindjes e perendimit, apo interesave te huaja, por të punohet për ta zhvilluar e forcuar atë.

Kultura e bashkëjetesës, forcimit të ndjenjës kombëtare, ruajtjes së identitetit fetar si pjesë e identitetit kombëtar është mision që edhe nëse i dihet fillimi, fundi duhet të jetë aq sa të jetë toka.

Bashkëjetesa jone, pa përjashtuar thirrjet folklorike, kërkohet të mbështetet mbi dialog të mirëfilltë dhe të jetë amaneti ynë për fëmijët tanë, për shtëpinë e Shqipërinë tonë. Një vend ku jetohet e bashkëjetohet ku para çdo dileme për të zgjedhur mes Lindjes a Perëndimit, tu tregojmë fëmijëve tanë që në shtëpinë/Shqipërinë tonë është gjithmonë më mirë.(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje