Sot ka pasur një debat të ashpër në Komision mes Damianit dhe Albanës. Shkak u bë xhentilesa e Damianit, i cili iu drejtua Albanës me fjalët: "E dashur".
Albana rrëmbeu mikrofonin dhe i tha ta tërhiqte fjalën mbrapsht.
– Dakord, – i tha Damiani. – Po të them "e jodashur".
Albana u tërbua përsëri dhe i kërkoi ta tërhiqte prapë.
– Po si të të flas? – tha Damiani. – Të them "zonjë", do më thuash jam beqare. Të them "zonjushë", do më thuash jam grua me fëmijë. Të them "e dashur", më thua pse më përflet jetën private. Kaq fjalë ka shqipja.
– Si duhet t'i drejtohet në fakt? – i tha Muli Lelos.
– Po e vështirë është, – tha Lelo. – Se ajo nuk është nënkryetare e PD-së t'i thotë "zonja nënkryetare". Është Gazi.
– Po t'i thotë "zonja kryetare", – tha Muli, – se është kryetare e Gruas Demokratike.
– Këta socialistët e kanë shkrirë fare organizatën e gruas, nuk e njohin si post atë, – tha Lelo.
– Sidoqoftë, ajo nuk mund ta bëjë betejën kryesore se si i drejtohet Damiani dhe pastaj ta mbyllë debatin. Duhej të reagonte për gjëra më të rëndësishme, – tha Muli. – Se tani na futi edhe ne frikën. S'dimë më as ne si t'i drejtohemi.
– Ne i themi "Albana", – tha Lelo. – Siç i flet Doktori, s'ka ç'na thotë. Damiani e ka keq, se Rama i thotë "Pamela Anderson" dhe ajo shkrihet. Ta provojë edhe Damiani, se ndoshta funksionon
Lini një Përgjigje