Izraeli ka “sytë dhe veshët” brenda Iranit, tha të martën shefi i shërbimit të inteligjencës Mosad, të Izraelit.
Në një dalje të rrallë për mediat, Yossi Cohen ka folur për protestat që kanë përfshirë Iranin, duke thënë se civilët iranianë po protestojnë për problemet aktuale ekonomike të Republikës Islamike, sepse, pavarësisht se pritshmëritë ishin të larta për presidentin Hassan Rohani, ai nuk ka arritur që për një pjesë të madhe të popullsisë të përmirësoj gjendjen ekonomike.
“Izraeli po e monitoron nga afër situatën në Iran. Ne kemi sytë, veshët dhe jemi shumë brenda Iranit”, tha Yossi Cohen gjatë një sesioni në Ministrinë e Financave, sipas haaretz.com.
Cohen tha se trazirat e tanishme në Iran “nuk ka gjasa ta rrëzojnë regjimin për momentin”. “Unë do të isha shumë i lumtur të shoh një revolucion social në Iran. Kjo është diçka që ndoshta mund të ndodhë në të ardhmen”, tha ai.
Cohen u shpreh se Iranianët po përhapen në të gjithë Lindjen e Mesme përmes një grupi të madh të forcave, ndërsa ka shtuar se Irani është në rrugën e duhur për të realizuar ëndërrën e saj.
Sipas Cohen, ka pasur ndryshime dramatike të situatës në Lindjen e Mesme që nga fillimi i mandatit të Presidentit Trump, si dhe një proces të forcimit të lidhjeve mes Izraelit dhe SHBA-ve
Komenti i Cohen vjen vetëm disa ditë pasi prokurori publik i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, akuzoi Izraelin dhe Mossadin për nxitjen e trazirave që kanë depërtuar në të gjithë Republikën Islamike dhe pas dënimit me vdekje të një spiuni të dyshuar izraelit.
Irani u godit nga protestat në fund të dhjetorit për shkak të inflacionit në rritje, papunësisë dhe keqmenaxhimit të qeverisë.
Protestat më vonë u kthyen në tubime anti-regjim, duke u përhapur në disa provinca, përfshirë kryeqytetin Teheran.
Më shumë se 20 vetë u vranë në demonstrata, duke përfshirë të paktën një oficer policie, ndërsa më shumë se 1,000 të tjerë u arrestuan nga autoritetet.(TemA TV)