U tradhtua nga tatuazhet, arrestohet një nga bosët e mafies japoneze "Yakuza"

12 Janar 2018, 09:14Bota TEMA

Një nga bosët e mafies japoneze “Yakuza”, ndër më të rrezikshme në botë, është arrestuar nga policia teksa ishte në kërkim prej 15 vjetësh, pasi u tradhtua nga fotografitë e tatuazheve të tij që u bënë virale në Facebook.

Shigeharu Shirai është akuzuar për vrasjen e një rivali të bandës në vitin 2003. Fotot e tatuazheve të përpunuara të 74 vjeçarit u morën nga një person lokal në Tajlandë, i pavetëdijshëm për identitetin e tij, shkruan BBC.

Bandat japoneze të “Yakuza” kanë qenë pjesë e shoqërisë japoneze për shekuj me radhë dhe kanë rreth 60,000 anëtarë.

Ndërsa bandat vetë nuk janë të paligjshme, shumica e fitimeve të tyre fitohen ilegalisht nëpërmjet lojërave të fatit, prostitucionit, trafikut të drogës dhe hakimit.

Kur fotografitë e Shirai u bënë virale, ato kapën vëmendjen e policisë japoneze që kërkoi arrestimin e tij.

Policia e arrestoi atë në qytetin e Lopburi, në veri të Bangkokut, për shkelje të vizave, ndërsa do të ekstradohet në Japoni për t’u përballur me akuzat për vrasje.

Ai pranoi se ishte anëtar i bandës “Yakuza” por nuk rrëfeu asgjë për vrasjen e vitit 2003. Ai u largua nga Japonia për në Tajlandë në vitin 2005.(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje