Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën “Moti i Madh” në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeu

17 Janar 2018, 20:05Kulturë TEMA

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që përkon me 17 janarin e vitit 1468, Muzeu Historik Kombëtar inicioi çeljen e një ekspozite të titulluar “Moti i Madh”.

Në ekspozitën, e cila është vendosur në hollin kryesor të Muzeut Kombëtar, janë publikuar ekspozitorë me armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Në ekspozitë gjenden dhe statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm si dhe portrete, kryesisht nga përkthimi i Marin Barletit në gjermanisht i vitit 1533 ku janë të përfshirë rreth 107 ilustrime. Përzgjedhja e këtyre gravurave është bërë me qëllim që ato të pasqyrojnë shpirtin e kohës e për ta parë Skënderbeun ashtu si e vështroi dhe përjetoi Europa e Humanizmit e shekullit të XI-XVI. Ndërsa projeksionet artistike me imazhe nga dokumentarët dhe filmat për Skënderbeun pasurojnë ekspozitën “Moti i Madh” gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Në çeljen e ekspozitës “Moti i Madh”, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh: “Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Në përpjekjen e tij madhore për t’u bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, shpesh herë, si del nga të dhënat historike, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin e vet në një model të organizuar shtetëror. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte fuqinë më të madhe të kohës, tmerrin e gjithë mesjetës, perandorinë osmane. Kjo në fakt ishte sfida e tij”.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite kishte mjaft të pranishëm, të interesuar për dokumentacionin e larmishëm, pjesë e këtij koleksioni. Për ekspozitën “Moti i Madh” dhe për pavijonin e mesjetës, ku një vend të rëndësishëm zë dhe periudha e Skënderbeut, gjatë 17 janarit ka pasur një interes të madh dhe nga shumë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Me këtë rast Muzeu Historik Kombëtar ka pasur një rradhë të gjatë vizitorësh.

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Skënderbeu sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, ndërsa bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane, ndaj është një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.

Ndërkohë“Viti i Skënderbeut” nuk ka në vëmendje të tij vetëm figurën e Gjergj Kastriotit, por edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, që kanë po të njëtjtën rezonancë. Viti 2018 përkon me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe me 110 vjetorine Kongresit të Manastirit. Këto ngjarje të rëndësishme do të përkujtohen me anë të organizimeve të ndryshme nga Muzeu Historik Kombëtar duke bërë të mundur në këtë mënyrë dhe një përafrim apo përqasje më tepër të historisë rreth këtyre ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje