Rada Trajkovic, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, ka folur lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç.
Trajkovic ka thënë se shumica e serbëve të Kosovës kanë bindjen se vrasja e Ivanovicit është organizuar nga qarqet serbe të lidhura me Beogradin.
“Njerëzit janë të frikësuar.
Një pjesë e serbëve kanë qejf të besojnë që këtë e kanë bërë shqiptarët për ta hequr vëmendjen prej Gjykatës Speciale, por një pjesë më e madhe, shumica e serbëve, besojnë që prapa kësaj, fatkeqësisht, qëndrojnë qarqe të lidhura me Beogradin”, ka thënë ajo për “Happy TV”.
Trajkovic ka thënë se Ivanovici ishte një zë “autentik” i serbëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen nga Beogradi të shprehin shqetësimet e tyre.
“U hesht një zë autentik i serbëve.
Ky është pikëllim i madh për ne, sepse serbët janë të shqetësuar.
Ne për një kohë të gjatë nuk po mund të flasim publikisht.
Fatkeqësisht, Beogradi nuk po na lë të flasim, lë të flasin ata që thonë atë që do Beogradi”, ka thënë Trajkovic.(TemA)