Propozimi i Murdoch: Facebook t’i paguajë mediat për lajmet e tyre

23 Janar 2018, 12:06Hi-Tech TEMA

Manjati i mediave, Rupert Murdoch, i bëri thirrje Facebook-ut dhe Google-it për të mbështetur financiarisht lajmet që kalojnë në platformat sociale. Në një deklaratë, shefi ekzekutiv i News Corporation, i kërkoi rrjetit më të madh social t’u paguajë mediave të besuara një taksë të ngjashme me atë që kompanitë kabllore u paguajnë televizioneve me pagesë.

“Kam një propozim që realisht njeh investimin dhe vlerën sociale të gazetarisë profesionale. Ka ardhur koha të shqyrtojmë një rrugë tjetër. Nëse Facebook-u dëshiron të njohë botues të besuar, atëherë ai duhet t’u paguajë atyre një taksë të ngjashme me modelin e zbatuar nga kompanitë kabllore. Padyshim botues të tillë po e rrisin vlerën dhe integritetin e Facebook-ut përmes lajmeve dhe materialeve të tyre, por nuk po shpërblehen siç duhet për shërbimin e tyre”, tha Murdoch.

Ky propozim vjen vetëm pak ditë pasi Facebook-u njoftoi një ndryshim në algoritme, me të cilin u jepet prioritet miqve dhe familjarëve më shumë sesa mediave.

Bursa e Wall Street ishte ndër të parët që nuk e priti mirë këtë lajm, pasi do të ulte kohën e kaluar në rrjet, që do të thotë më pak kohë për të parë reklamat që qarkullojnë aty.

Ky zhvillim erdhi pas debatit që u hap në lidhje me besueshmërinë te lajmet në platformat sociale si Facebook-u. Përhapja e lajmeve të rreme në internet dhe veçanërisht në rrjetet si Facebook dhe Tuiter, u pa si një faktor që mund të ketë ndryshuar rrjedhën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në fund të 2016-s.

Hyrja e Facebook-ut në botën e mediave dhe shpërndarja e artikujve që nisi në 2015-n ka nxitur një konsum të pangopur me lajme në këtë platformë. Sipas institutit PEW, 2/3 e maxhorenëve në SHBA informohen përmes faqeve në rrjetet sociale. Kjo ka nxjerrë jashtë loje media që kërkojnë lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, për të ruajtur besueshmërinë. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje