Vota e emigrantëve, Xhafaj thirrje opozitës: Sa më shpejtë të vendosim mbi modelin

23 Janar 2018, 11:10Politika TEMA

Ministrit i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur në tryezën e rrumbullakët “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, ku ka parështuar hapat që duhen ndërmarrë mbi përmbushjen e këtij objektivi.

Xhafaj shprehet se bashkë me opozitën duhet të nisë bashkëpunimi për të zgjedhur modelin e duhur mbi sistemin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, ai shton edhe për regjistrimin e adresave.

Fjala e plotë

“Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në një diskutim të tillë, për një çështje, vërtet të rëndësishme, në raport me të drejtat themelore të shtetasve.

Eksperienca ime e viteve të shkuara si deputet i angazhuar me reformën zgjedhore dhe sot ushtrimi nga ana ime i funksionit të Ministrit të Brendshëm më nxit të them se është momenti jo vetëm të diskutojmë, por sa më shpejtë të jetë mundur të finalizojmë procesin e reformës së re zgjedhore.

Dhe në këtë kuadër më shumë akoma të vendosim mbi sistemin i cili mundëson votimin e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote dhe që janë me banim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ne jemi sot përballë faktit që pothuajse 1/3 e shteteve shqiptarë me të drejtë vote, nuk e ushtrojnë dot këtë të drejtë. Arsyeja? Shumë e thjeshtë, të ushtrosh të drejtën e votës, sipas legjislacionit tonë aktual, duhet të paraqitesh fizikisht në qendrën e votimit, në të cilën shtetasi me të drejtë votë është regjistruar.

T’ju japësh shtetasve mundësinë për të votuar, pavarësisht se ku jetojnë, përveç se ju mundëson atyre pjesëmarrjen në qeverisjen e vendit të tyre, ju ofron atyre një lidhje direkte shpirtërore dhe besimi me vendin ku kanë lindur.

Nga ana tjetër gjithnjë e më tepër, edhe vetë partitë politike në Shqipëri, gjatë zhvillimit të fushatave elektorale, por jo vetëm, po ju drejtohen edhe shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë prej vitesh në një vend tjetër. Mjaft të përmend këtu, shtete të tilla si: Italia, Greqia, Gjermania apo edhe Anglia, ku përqendrimi i shtetasve shqiptarë është më i madh, si vende ku partitë politike kanë tashmë organizimet e tyre partiake. Dhe kjo besoj se është një gjë pozitive.

Por ftesa që partitë ju bëjnë mbështetësve të tyre me banim jashtë vendit për të votuar për ato, është në kontradiktë me vullnetin e tyre politik, me mundësitë reale të ushtrimit të së drejtës së votës nga këta shtetas. Sikurse e dimë të drejtën e tyre të votës këta shtetas mund ta ushtrojnë vetëm nëse paraqiten në një qendër votimi.

Nëse vërtet të gjitha forcat politike dëshirojnë t’u mundësojnë realisht votuesve në emigracion, ushtrimin e të drejtës së votës, është momenti që të vendosim për sistemin që e mundëson këtë ushtrim të drejte.

Ndaj dhe gjetja dhe aplikimi i një sistemi që mundëson votimin e emigrantëve, pa qenë të detyruar të paraqiten në një qendër votimi, është një sfidë shumë e vështirë në kushtet e kësaj klime politike të tensionuar artificialisht.

Besoj se kontributi i ekspertëve të paangazhuar, si dhe i OSBE, apo edhe i organizatave të tjera ndërkombëtare do të na ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje që ofron besim për të gjithë. Modelet në Europë dhe me gjerë nuk mungojnë në këtë rast.

Si ministër i Ministrisë nën përgjegjësinë e së cilës është regjistri i Gjendjes Civile të shtetasve, si dhe në një pjesë të vetë edhe procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve, dua të sjellë në vëmendje që aspekti parësor i sistemit të votimit të emigrantëve është identifikimi i vendndodhjes së tyre. Kjo vlen jo vetëm në rastin kur emigrantët do ta ushtrojnë të drejtën e votës nëpërmjet një flete votimi të dërguar me postë atyre dhe të kthyer po me postë prej tyre, por edhe në rastin e një votimi elektronik të distancë nga ata.

Por gjithashtu krahas identifikimit të saktë të emigrantëve dhe të vendndodhjes së tyre është shumë e rëndësishme, është themelore do të thosha, që sistemi i votimit për ta duhet të sigurojë gjithashtu tre elemente bazik:

– fshehtësinë votës;

– transparencë të procesit të numërimit të votës dhe të nxjerrjes së rezultatit;

– integritet të procesit të votimit;

Nga ana tjetër ne duhet të vendosim dhe sa më shpejtë t’u japim përgjigje në vlerësimin tim disa pyetjeve të rëndësishme si:

A do t’u sigurohet e drejta e votimit me çdo mënyrë emigrantëve për të gjitha llojet e zgjedhjeve, përfshi Kuvend, qeverisje vendore, referendum lokale, kombëtare, etj?

Në varësi të modelit të votimit të emigrantëve që duam të zgjedhim, a do t’ju kërkohet emigrantëve që paraprakisht të regjistrohen si votues me qëllim që ata të përfshihen në listën e zgjedhësve, apo automatikisht ata do të jenë në listën e zgjedhësve sikurse është sot?

Këto, por edhe shumë çështje të tjera teknike kërkojnë një adresim të shpejtë dhe të përshtatshëm.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me votimin e emigrantëve, do të duan rregullime të hollësishme ligjore për përcaktim procedurash, afatesh, organesh përgjegjëse, etj.

Sikurse jeni në dijeni, një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare në këtë mandat, është krijimi i një sistemi funksional adresash, për të përcaktuar saktësisht “Ku banon, kush?”

Pjesë integrale mjaft e rëndësishme për identifikimin e të gjithë shtetasve shqiptarë është edhe regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në funksion të këtij prioriteti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 14/2016, datë 18.2.2016, “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Sipas dispozitave të këtij ligji, identifikimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet nëpërmjet vetë deklarimit on-line, ku barrën e verifikimit të adresës së vet deklaruar e ka marrë përsipër qeveria shqiptare, ndërsa vetë shtetasi ka për detyrë vetëm të plotësojë deklaratën on-line.

Është shumë e rëndësishme në vlerësimin tim që opozita të kontribuojë së bashku me qeverinë edhe për këtë çështje.

Nëse ditët kalojnë pa arritur ndonjë rezultat konkret në këtë aspekt, do të jetë gjithnjë edhe më vështirë, siç ka ndodhur jo rrallë në historinë e përpjekjeve për një reformë të arrirë zgjedhore, për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët dhe realisht të mundshme për t’u implementuar.

Sot teknologjia e informacionit, apo edhe sistemet e transmetimit dhe të dërgimit fizik të sendeve janë tërësisht eficente dhe sigurojnë garanci të plota.

Bashkërisht me opozitën ne duhet që sa më shpejtë të vendosim mbi modelin që duam të zgjedhim për sistemin e votimit të emigrantëve.

Qeveria, Kryeministri Rama personalisht ka garantuar se ka gjithë vullnetin që të punojë për të gjetur një zgjidhje e cila është funksionale, dhe garanton integritetin e procesit të votimit të emigrantëve.

Në përfundim, duke falënderuar edhe njëherë organizatorët për këtë nismë, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të ndërmarrë gjitha hapat e nevojshëm, në funksion të garantimit të një procesi të rregullt, transparent, të besueshëm dhe sipas standardeve më të mira në këtë fushë.

Ju faleminderit!”

1 komente në “Vota e emigrantëve, Xhafaj thirrje opozitës: Sa më shpejtë të vendosim mbi modelin”

  1. Emigranti says:

    O zoti minister, nuk zgjidhet vota me identifikim se ku jetojne shqiptaret. Qeveria duhet vec te hape qendra votimi ku ka perfaqesi shqiptare ne bote dhe qytetaret duhet te regjistrohen psh deri ne 3 muaj para ku duan te votojne. Une psh jetoj ne Suedi po mund te kerkoj te votoj ne Paris dhe emri im duhet te hiqet nga lista ne qendren e votimit ne Durres dhe te jete ne Paris. Kjo vjen edhe per shtetasit qe jetojne ne shqiperi por per nje arsye ose tjeter diten e votimit e dine qe do jene jashte. Ky regjistrim me duket me shume si menyre per te mbledhur taksa.
    Nuk po flas per votimin me poste se ate do e arrijme ne 3018.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje