INTERVISTA/ Flet pasuesi i Ben Blushit: Çfarë do ndodhë me LIBRA-n

22 Janar 2018, 20:37Politika TEMA

LIBRA është përfshirë në një furtunë të fortë politike për shkak të zhvillimeve të fundit brenda subjektit partiak.

Kryetari i ri Endri Tafani, ka sqaruar gjendjen e brendshme të forcës politike.

Ai shprehet se zgjedhjet e fundit larguan një pjesë të anëtarësisë.

Tafani shton se kjo ka shërbyer edhe si provë për të ditur se cilët janë idividët e vërtetë “LIBRA”.

Në një intervistë për gazetën “TemA”, Tafani shpalos edhe planin e tij për të sheshuar brenda partisë.

Lideri i ri LIBRA-s siguron se partia që drejton ka njerëzit e mire rreth vetes dhe bashkë me idetë që kanë do të bëjnë një kombinacion fitues.

Z. Tafani, së pari urime për dertyrën e re. Ju lutem mund të mësojmë diçka më tepër rreth profilit tuaj?

Ju faleminderit për urimin dhe shpresoj që jo veç ju, por edhe mediat e tjera të na ndihmoni në përhapjen e ideve dhe qëndrimeve të LIBRËS, larg thashethemeve dhe pranë temave që realisht e prekin qytetarin shqiptar. Kam lindur në Tiranë dhe shkollën e mesme e kam kryer tek gjimnazi “Ismail Qemali”. Kam qënë një adoleshent gjatë periudhës së ndryshimeve kështu që i mbaj  mend mirë vitet e fundit të komunizmit në Shqipëri. Bashkë me shokët e gjimnazit jemi solidarizuar me grevën e studentëve, por tani që e shikoj pas kaq kohësh nuk mendoj që kemi qënë plotësisht të ndërgjegjshëm për të kuptuar implikimet.

Donim thjesht të linim mësimin, apo të bënim diçka të ndaluar, apo t’i kundërviheshim sistemit. Ishin të gjitha gjëra që përziheshin bashkë. Kam kryer  Fakultetin e Drejësisë  dhe  Masterin në Administrim Publik pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Kam punuar vetëm nëpër kompani kryesisht të fushës së financave duke e nisur nga specialist i thjeshtë dhe për të vazhduar deri tek postet manaxheriale.

Në çfarë gjendje po e merrni LIBRA-n sot pas zhvillimeve të fundit brenda forcës suaj?

Është e kotë që ta mohojmë faktin që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 pati njëfarë zhgënjimi nga ana e anëtarësisë dhe drejtuesve të LIBRA. Nuk do të ishte normale mos ta kishim. Por në këto momente dallohen edhe njerëzit. Është e lehtë të ecësh pas euforisë por është e vështirë të ngrihesh pas një rrëzimi. Për fat të keq një pjesë nuk e kaloi dot sprovën, por kishte shumë të tjerë që këtë sprovë e kaluan. Ata që janë sot LIBRA janë ata njerëz që e kaluan këtë sprovë. Ndjehem krenar për njerëz të tillë. Që nuk tremben dhe i largohen vështirësive por mendojnë si t’i kapërcejnë ato. Ata që janë sot LIBRA kudo që janë e kanë kaluar këtë provë karakteri dhe jam shumë i lumtur që këtë provë karakteri e kaloi shumica dërrmuese e anëtarësisë LIBRA. Kjo më mbush me besim për të ardhmen.

Si keni menduar të rikuperoni të gjithë këtë “furtunë” brenda partisë që keni nisur të drejtoni?

Hapi i parë i rekuperimit është kryer tashmë. Shumica dërrmuese e LIBRA e kaloi provën. Jam me fat që kam në krah shumë anëtarë e drejtues LIBRA që e kanë kaluar një provë të fortëkarakteri pasi për njerëz të tillë ka nevojë shoqëria sot. Siç u shpreha dhe tek mesazhi drejtuar anëtarësisë LIBRA, nuk është një emër por një ide dhe idetë nuk mund të vriten. Tashmë kemi detyra të rëndësishme si riorganizimi strukturave në ato vende ku nuk janë shumë funksionale dhe mbi të gjitha bërja e politikës LIBRA në çdo moment nga çdo anëtar.  Siç jam shprehur, më parë këtë gjë anëtarësia ia kishte lënë në dorë kryetarit por nuk duhet të jetë kështu. Çdo anëtar duhet ta bëjë këtë gjë. Do futen dhe metoda të reja të punës së anëtarëve LIBRA me elektoratin dhe me organet drejtuese, gjë që më pare nuk mundëm ta bënim. Janë shumë gjëra që mund të bëhen më mirë dhe sigurisht mirëpresim dhe kritikat e medias për diçka që ato mendojnë që nuk ecën mire te LIBRA. Jam i bindur që kështu mund të arrijmë më tepër se më parë.

Cila do të jetë e ardhmja e LIBRA-s nën drejtimin tuaj? Çfarë planesh keni?

LIBRA e ka tashmë një profil si parti e papërlyer në sistemin politik. Kjo është njëkohësisht gjëja jonë më e çmuar dhe arsyeja bazë e ekzistencës së LIBRA-s. Të tillë do të jemi dhe në të ardhmen. Do mundohemi të jemi më tepër të prirur tek ofrimi i zgjidhjes për problemet sesa tek replikat. E kuptoj që replikat janë të domosdoshme ndonjëherë, por nuk mund të bëjmë replikë për hatër të replikës. Për çdo problematikë ne do mundohemi të ofrojmë një mënyrë zgjidhje. Është koha të diskutohen dhe vlerësohen idetë. Këtu duhet të jetë fusha e veprimit të LIBRA. Njerëzit e mirë LIBRA i ka. Bashkë me idetë e mira bëjnë një kombinacion fitues.

3 komente në “INTERVISTA/ Flet pasuesi i Ben Blushit: Çfarë do ndodhë me LIBRA-n”

  1. fieraku4u says:

    RRESHTOHUNI DHE JU NE ZGJEDHJE ME 80 PARTI TE TJERA QE KA SHQIPERIA. PIKE E ZEZE, NJE VEND ME 2 MILION BANOR, KU VOTUESA GJITHSEJ JAN 1,300,000 KA KAQ SHUME PARTI. JENI BERE VARI BIDONIN KOMPLET. KU MUTIN E GJENI KETO PARA QE FINANCOHENI…??

  2. Shemia says:

    Chudi, flet si i graduar gjeneral, kur ushtria ka dezertuar. Bravo!

  3. Pandi Korce says:

    Paske adoloshence te perjeteshme, shume fole-e sa pak the.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje