Skënderbeu do të ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjen e të premtes kundër Luftëtarit duke e detyruar trajnerin Daja të ndryshojë rreshtimin tip që ka provuar gjatë kësaj periudhe dhe t’i japë hapësira si titullar afrimit më të bujshëm të merkatos së janarit.
Sulmuesi Ali Soue nuk ia del të jetë gati për këtë sfidë, si pasojë e një dëmtimi të pësuar në stërvitje, ndaj për Dajën do të jetë i detyrueshëm ndërrimi i lojtarëve në fazën ofensive të ekipit. Si qendërsulmues do të jetë përsëri Xhejms, i cili e ka kryer edhe më parë këtrë rol, sa herë që mungonte titullari i repartit të avancuar.
Problem mbeten krahët, ku mungesa e “amerikanit” Taku dhe dëmtimi i Sahitit bën që Daja të ketë më pak alternativa në dispozicion. Ndaj trajneri dje ka provuar një rreshtim të ri, me Gavazajn në krahun e majtë dhe me Vilën në krahun e djathtë.
Mesfushori i afruar në janar nga korçarët, pak ditë pas largimit nga Partizani, shihet si një “xhol” nga trajneri, por pakkush e priste që ai të luante titullar që në ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2018, edhe pse paraqitjet e tij në miqësoret në Antalia kanë qenë mëse bindëse.