Legjenda e futbollit vlonjat, Kreshnik Çipi, ka folur rreth zgjedhjeve që do të zhvillohet nesër për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Çipi është shprehur se futbolli shqiptar ka nevojë për një ndryshimë duke qenë se Armand Duka është një person që është konsumuar.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se gjërat kanë ardhur duke u degradur duke shtuar se Komiteti Ekzekutiv është shkelur me këmbë në të gjtihë këto vite.
“Sinqerisht rendi demokratik duhet të funksionojë në të gjitha fushat në Shqipëri, duke filluar nga politika dhe gjithë sektorët e tjerë, përfshi sportin. Pra, me këtë dua të them se me patjetër duhet të ketë rrotacion edhe në FSHF. Mendoj se kjo është e domosdoshme për futbollin shqiptar. Sado që të lavdërohesh dhe të kesh arritje, prapë ka goxha gjëra për të qarë. Nuk është ashtu siç reklamohet situata në futbollin shqiptar.
Duka është goxha i konsumuar. Natyrisht, ka edhe ai pikat e forta me disa arritje, por mbi të gjitha ka shumë të dobëta. Nëse flasim për kampionatin shqiptar, shikojmë që vuan nga mungesa e emrave të mëdhenj të futbollit tonë.
Kur unë jam zgjedhur në vitin 2002 si anëtar i Komitetit Ekzekutiv, kemi qenë një grup ish-lojtarësh që bënim një federatë shumë më të fortë nga paraardhësit tanë. Unë nuk mund të mohoj që e sotmja është më e mirë se e djeshmja, por megjithatë di të them se në ato vite vendosëm disa piketa serioze pasi vinim nga një tunel. Mirëpo, gradualisht, gjërat erdhën duke u degraduar.
Ndodhi kështu sepse po humbiste kuptimi i funksionimit të një organizmi futbolli. Duhet të kuptojmë që gjërat së fundmi erdhën duke u përmirësuar sepse edhe vetë UEFA është rritur në përmasa gjigande si qeveri futbolli. Ishte një rrjedhë logjike e një ndryshimi të madh që ndodhi në gjithë Europën. Komiteti Ekzekutiv gati-gati është shkelur me këmbë në të gjtihë këto vite, zëre se nuk ekziston tani”, shprehet Çipi. (TemA)