ANALIZA: Nga çfarë duhet të heqë dorë bota për të ndarë "fatin e përbashkët" me Kinën?

25 Shkurt 2018, 16:41Bota TEMA

Nga David Bandurski

Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë të Mynihut gjatë fundjavës së kaluar, Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel dukej se po paralajmëronte mbi rolin e Kinës në të ashtuquajturën Iniciativën e Brezit dhe të Rrugës (BRI), një paketë që përfshin më shumë se 1 trilion dollarë shpenzime në infrastrukturë në më shumë se 60 vende. Gabriel paralajmëroi se iniciativa ishte “jo vetëm për biznesin dhe industrinë”. Kina, tha ai, po “zhvillon një sistem gjithëpërfshirës që nuk është si i yni, jo i bazuar në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Këmbëngulja e re e Kinës, e ndihmuar nga udhëheqja e dobësuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka krijuar konceptin se ajo ofron një alternativë reale për arkitekturën globale të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në një kongres të Partisë Komuniste kineze vjeshtën e kaluar, presidenti Xi Jinping foli për një rend të ri botëror, të ndërtuar rreth konceptit të një “komuniteti të së ardhmes të përbashkët”. BRI është në qendër të këtij rendi të supozuar dhe disa kanë kapur karremin dhe gëlltitur grepin. Joe Kaeser, shefi ekzekutiv i grupit gjerman të inxhinierisë Siemens, sugjeroi së fundmi se iniciativa tashmë është e ardhmja: “Iniciativa Një Rrip një Rrugë e Kinës, do të jetë modeli i ri i W.T.O. – na pëlqen apo jo”, tha Kaiser në lidhje me Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por fjalët e ministrit të jashtëm nën largim të Gjermanisë janë një kujtesë shumë e nevojshme që komunitetet nuk lidhen vetëm për biznesin, por për vlerat e përbashkëta. Është e rëndësishme që ne të jemi absolutisht të qartë për saktësisht se cilat janë ato vlera.

Atëherë, cilat janë vlerat themelore të këtij “sistemi gjithëpërfshirës” që Kina po i ofron botës? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje nuk qëndron vetëm në shifrat e Iniciativës së Rripit dhe Rrugës, ose në diskutimin e politikës së jashtme rreth “bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella”, por në mekanikën e sistemit politik të Kinës. Nëse duam të dimë se si Kina propozon qeverisjen e botës, ne duhet vetëm të shohim se si qeveris vetën.

Këtu, megjithatë, vërejmë menjëherë një paqartësi të vetë sistemit kinez. Edhe tani, 40 vjet pasi Kina filloi politikën e saj të hapjes dhe të reformës, politika e Partisë Komuniste kineze është një mister për analistët, për ekspertë si unë, të cilët duhet të shqyrtojnë diskursin e saj të ashpër dhe leninist për çfarëdo gjurmë kuptimplotë që mundemi të gjejmë. Problemi përbëhet nga kontrollet më gjithëpërfshirëse dhe më të sofistikuara të opinionit publik që bota ka njohur ndonjëherë. Edhe në fushën e ecurisë ekonomike, pamja jonë e Kinës është e përbërë me gënjeshtra statistikore. Hulumtimet e fundit nga Bloomberg treguan se shifrat lokale të PBB-së në Kinë ishin “vazhdimisht të ekzagjeruara midis 2011 dhe 2015”.

Kina ka një sistem të ndërtuar mbi manipulimin e fakteve dhe narativave. Në thelbin e modelit të saj të qeverisjes është një bindje e thellë se e vërteta dhe faktet duhet t’i shërbejnë me besnikëri objektivave politike. Politikat e saj nuk janë të hapura për debat ose diskutime, por dalin menjëherë plotësisht të formuara, ndërsa legjitimiteti i tyre supozohet dhe mbrohet nga monopoli informativ i Partisë. Të premten e kaluar, ndërsa Konferenca e Sigurisë në Munih po fillonte, mediat kineze përkujtuan me zë të lartë dy vjetorin e një fjalimi në të cilin Xi foli mbi kontrollet e shtypit, duke thënë se mediat duhet “ta duan, mbrojnë dhe t’i shërbejnë Partisë”.

Vrazhdësia mbi vlerat dhe qëllimet e Kinës po reflektohet në skenën botërore, ndërsa përparon objektivin e saj të fundit politik, Iniciativën e Rripit dhe Rrugës. Ekzistojnë shqetësime të gjata për mungesën e transparencës në tenderimet për projektet e infrastrukturës, mbi dominimin dërrmues të kontraktorëve kinezë dhe për impaktet e pakontraktuara mjedisore. Ka gjithashtu shqetësime në rritje rreth implikimeve për sigurinë rajonale. Këtë muaj, Mohamed Nasheed, ish-presidenti i Maldiveve, një varg ishujsh në Oqeanin Indian, tha se kreditë kineze për tre projekte nën Iniciativën e Brezit dhe Rrugës kishin lënë vendin e tij në mënyrë të rrezikshme borxhli dhe se veprimet e Kinës korrespondonin me një “rrëmbim të tokës”. Akuzat u pasuan nga një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar që parashikoi se borxhi i jashtëm në Maldive do të tejkalonte gjysmën e PBB-së së saj deri në vitin 2021 si rezultat i huave kineze. Përfshirja e thellë e Kinës në Maldive, e cila është tani në mes të një krize politike, ka provokuar shqetësim nga India.

Ndërkohë, Kina vazhdon të shtyjë idenë se BRI është rruga përpara për botën. Pardje, gazeta shtetërore e Kinës, Global Times, citoi presidentin Nursultan Nazarbayev të Kazakistanit fqinj, që thoshte në një “intervistë ekskluzive” me rrjetin televiziv shtetëror të Kinës, se Iniciativa e Rripit dhe Rrugës është një “ide e madhe”. As dhe duke dhënë qoftë një citim të drejtpërdrejtë, artikulli gjithashtu sugjeronte se Nazarbayev kishte lavdëruar konceptin e ri qeveritar të presidentit kinez, “Mendimi i Xi Jinping”, duke thënë se ai “pasqyron të menduarit e vendeve Lindore”.

Vetëbesimi i shfaqur i Kinës në sistemin e saj të qeverisjes mund të duket tërheqës në mes të dobësisë sonë aktuale globale, të Trump dhe të Brexit. Por nuk duhet të harrojmë se qëllimi parësor i këtij sistemi, sikurse të gjitha sistemet autoritare, është të nxisë besimin dhe të fshehë dobësitë e tij, duke e pasqyruar çështjen në favor të legjitimitetin të vet. Deri sa Kina të jetë me të vërtetë e hapur, përfshirë ndaj publikut të vet, rreth kostove të qasjes së saj ndaj qeverisjes dhe zhvillimit, ne duhet të refuzojmë dhe madje të marrim me të lehta nocionin që sistemi i saj të përshkruajë rrugën për të ardhmen tonë./The Diplomat –Lexo.al/

2 komente në “ANALIZA: Nga çfarë duhet të heqë dorë bota për të ndarë “fatin e përbashkët” me Kinën?”

  1. O says:

    Ushtria duhet të jetë më e qetë në Azi (përfshir Ankaranë)

  2. Niko Shpiragu says:

    Bota do te jete kineze sepse Kina punon dhe te tjeret duan te grabisin. Gjiganti kinez po investon, kurse te tjeret marrin hua tek ai me mendimin per mos tia kthyer me. Kina e di kete por do tua marrin atyre patjeter ne kohen me te pershtateshme. Ajo kurre nuk sulmon ose vjedh te tjeret. Ajo lidh marreveshje dhe ben kontrata me interesa te perbashket me vendet ne zhvillim. Ajo eshte serioze ne strategjine e saj te zgjerimit ekonomik. Ajo ka fuqi ekonomike disa here me te madhe se EU, e cila vetem kerkon te grabisin me te pazhvilluaret. Sado te perpiqen vendet e tjera te pengojne Kinen ne rrugen e saj, ata mund ta ngadalesojne pak vrullin e kollosit, por s’mund ta ndalin ate. Kina ka marredhenie te rregullta me te gjitha shtetet e rruzullit sepse ajo nuk krijon armiq. Ajo ka qellim zhvillimin e vetes dhe e di mire se ky behet ne bashkepunim me zhvillimin ne pergjithesi te botes. Perendimi jeton akoma me politiken e ekspansioni kolonial duke synuar grabitjen e me te vegjelve e me te pazhvilluarve, por tani ka filluar ta kuptoj se keto vende qe perendimi i milte me pare i kane kthyer syte nga Kina. Nuk mund ta ndaloni ortekun kinez se ai eshte gjigand dhe ka krijuar marredhenie reciproke me te gjithe. Te gjitha ato shtete qe e kane kuptur drejt kete dhe qe mendojne realisht per vehten e tyre po futin investimet kineze dhe po arrijne perparime. Shqiperia merret me politike, kush je ti e kush jame une, dhe do te ngelet me gisht ne goje. Ajo duhet te ndjekin shembullin e vendeve te tjera duke shikuar nga gjigandi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje