Qyteti i Shkodrës ditën e sotme është zgjuar “I veshur me të bardha” pasi në pothuajse gjithë qarkun kaën rënë reshje dëbore.
Dëbora ka nisur të bjerë që ditën e djeshme ndërsa sot ka mbuluar pothuajse gjithë territorin.
Situata paraqitetet problematike vetëm në zonat malore ku trashësia e dëborës është rritur.
Lëvizja në zonat malore bëhet me zinxhirë për të shmangur aksidente të mundshme.
Situata në Qarkun Shkodër
Bashkia Shkodër: Aksi rrugor Shkodër-Theth është i bllokuar në Qafë Thore pasi ka rreth 2.5 m dëbore. Aksi rrugor Shkodër-Breg Lumi, tek “Mali i Shoshit” ka rreth 35 cm dëborë. Ky aks rrugor është i kalueshëm me zinxhirë vetëm nga mjete të larta. Nuk ka energji elektrike në fshatrat Pult, Shosh, si rezultat i këputjes së linjave elektrike nga era e fortë.
Bashkia Vau Dejës: Akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.
Bashkia Pukë: Ka rreth 5 cm dëborë dhe kjo sasi dëborë është e bartur për shkak të erës së fortë, por nuk ka krijuar probleme në territorin e kësaj bashkie.
Bashkia Fushë-Arrëz: Vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet mesatar dhe trashësia e saj në Qafë-Mali dhe Qafë-Shllak është rreth 40 cm. Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është i bllokuar në vendin e quajtur “Laku i Ballshit”, ku ka rreth 40 cm dëborë. Ky aks është i kalueshëm me vështirësi. Deri tani akset e tjera rrugore janë të kalueshme me zinxhirë. Vazhdon puna me dy borëpastruese në segmentet rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak. Nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike.
Bashkia Malësi e Madhe: Aksi rrugor Qafa e Bordolecit-Vermosh ka rreth 40 cm dëborë dhe kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa i pa kalueshëm është segmenti Bogë-Qafë Thore. Aksi rrugor Koplik-Hot është i kalueshëm pasi po punon firma “Geci”, e cila ka marrë të gjitha masat për mirëmbajtjen e tij. Aksi rrugor Tamarë-Qafa e Bordolecit-Vermosh është i kalueshëm dhe po mirëmbahet nga bashkia me mjetet e saj. Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor varjon nga 10-30 cm. Aksi rrugor Koplik-Dedaj-Razëm është i kalueshëm dhe po mirëmbahet nga forcat dhe mjete e firmës “Abazi”.
Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor është rreth 20cm. Aksi rrugor Dedaj-Bogë është i hapur dhe po mirëmbahet nga bashkia. Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor është rreth 20 cm. Në të gjithë territorin kodrinor/fushor edhe rrugët rurale janë të hapura. Trashësia e dëborës është 2-3 cm dhe deri tani nuk ka asnjë problematikë për komunitetin. Në segmentet rrugore Qafë Bene-Rrëshen dhe Qafë Mali-Fierzë reshjet e dëborës janë më intensive, por pastrimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme nga borëpastrueset, pasi dhe kryhet edhe hedhja e kripës në rrugë për të mos lejuar ngrirjen e saj./frekuenca/