Kukësi-Skënderbeu sfidojnë të ftohtin, klasikja këtë herë nuk luhet për titull, Partizani synon kthesën

28 Shkurt 2018, 10:33Sport TEMA

Një vit më parë, në fazën e tretë të kampionatit, Skënderbeu përballej me Kukësin me qëllimin për të mundur verilindorët dhe për t’i zbritur nga kreu i renditjes.

Ndeshja në Korçë u mbyll në barazim, ndërsa në fazën e fundit në një finale të drejtpërdrejtë shpërthyen polemikat ndaj gjykimit. Këtë të mërkurë, Skënderbeu do të luajë sërish në Kukës, por këtë herë pa presionin e rezultatit, i cili, në fakt, më tepër peshon te Kukësi.

Korçarët janë bindshëm kryesues të Superiores dhe 13 pikë të shkëputur nga Flamurtari dhe këtë herë vizita e tyre në Kukës do të jetë më tepër një çështje prestigji për t’i marrë fitoren e 3-të verilindorëve në këtë sezon, pasi i kanë mundur në dy fazat e para me rezultatin 2-1. Si rrallë herë përpara një ndeshjeje me Kukësin, Skënderbeu e gjen veten te qetë dhe me një +14 mbi kundërshtarin në renditje, që mund t’i japë pjekurinë e nevojshme për ta luajtur këtë ndeshje sipas ritmit të tij, pa presionin e një fitoreje që duhet të vijë detyrimisht, por dhe pa karikimin e tepruar që kryesisht ka dhuruar gjithmonë një duel që është konsideruar si një finale e kampionatit.

Nga qetësia e Skënderbeut në renditje mund të fitojë mbi të gjitha spektakli, pasi dhe për Kukësin kjo ndeshje, përtej kënaqësisë së fitores, nuk e ka tensionin e një dueli për titull. Dhe kur skuadrat janë të çliruara nga mendimet e tepërta përfitojnë kryesisht këmbët, që janë më të zhndërvjellta për të na dhuruar një duel, që mund të jetë një kartolinë e kampionatit dhe pse larg rivalitetit të zakonshëm për marrjen e 3 pikëve me detyrim.

Kushtet e këqija të motit mund të jenë një problem për të dyja skuadrat, ndërkohë që korçarët duhet t’i  bëjnë llogaritë pa 5 titullarë, pasi përveç Jashanicës, Osmanit e Lilajt të dëmtuar do të mungojë edhe Radas që është i skualifikuar ndërsa ka shumë gjasa që në këtë ndeshje të mos luajë as kapiteni Orges Shehi, në krahun tjetër për Kukësin lajmi i madh është rikthimi i goalshënuesit më të mirë të kampionatit Elis Bakaj nga pezullimi.

Nga Lushnja, te Lushnja. Partizani pret këtë mesjavë sfidën me ekipin që bazuar te rezultatet i ka dhënë më pak Kategorisë Superiore, por që efektivisht ka ndikuar më tepër në sezonin e të kuqve. Nisur nga sfida e 2 Tetorit të kaluar, kur skuadra e drejtuar në atë periudhë nga Mark Iuliano u frenua në barazim pa gola nga debutuesit në elitë. Ishte vetëm java e katërt, por menjëherë prej atij momenti pozitat e trajnerit italian u lëkundën.

Vetëm dy pikë të grumbulluara në katër ndeshje, mes të cilave humbjet me Laçin dhe Skënderbeun ngritën dilemat e para te drejtuesit, nëse me emërimin e Iulianos ishte bërë zgjedhja e gabuar. Në fazën e parë Partizani zhgënjente me lojë dhe rezultate dhe aventura e ish-mbrojtësit të Italisë dhe Juventusit zgjati vetëm një muaj pas përballjes me Lushnjen.Më 5 Nëntor, pak orë pas humbjes me Kamzën, klubi prishi kontratën me Iulianon, duke rikthyer në stol Sulejman Starovën.

Ai ishte hapi i parë i ndryshimit, me 13 pikë të fituara në 6 ndeshje nga mesi i nëntorit deri në dhjetorin e vitit të kaluar.Revolucioni te të kuqtë vazhdoi në pauzën dimërore të kampionatit me largimet e të gjithë lojtarëve të afruar në fillim të sezonit nga këshilltari Luciano Moggi, ndërsa nga spastrimet e drejtuesve prekën edhe pesë titullarë, nga Malota e Krasniqi, për të vazhduar me Vilën, Sukajn dhe Filin.Momentalisht Partizani po kalon një tjetër moment të vështirë.

Nga vendi i shtatë në kampionat, tek eliminimi nga Kupa që u kthye në objektivin sezonal. Por, pavarësisht dy humbjeve radhazi me Kukësin dhe Skënderbeun, skuadra në fushë ka dhënë sinjale pozitive në lojë, grintë dhe dëshirë.Këtë herë përballë Lushnjes, Partizani ka shansin t’i japë një tjetër shkundje edicionit, me synimin që të rikthehet në garën për kupat e Europës.

Për Vllazninë ka qenë e pamundur në këtë sezon të rrëmbejë një rezultat pozitiv përballë Laçit, por ecuria pozitive e shkodranëve në takimet e fundit i bëjnë kuqeblutë të kërkojnë pikë në këtë transfertë. Fakti që nuk pësojnë prej 3 ndeshjesh dhe kanë marrë 7 pikë në 3 takimet e fundit është diçka pozitive për Vllazninë, por të fitosh në Laç nuk është diçka e lehtë, aq më tepër që bardhezinjtë i kanë mbajtur hapur shanset për Europën si në Kupë ashtu dhe në kampionat.

Vllaznia nuk është në këtë sezon një prej skuadrave më të mira në transfertë, por tendenca mund të ndryshojë për më tepër që në këtë fazë të sezonit dhe me objektiv mbijetesën nevojiten pikët. Ajo që ka shqetësuar mbi të gjitha trajnerin Gjoka është fakti që të hënën ekipi u stërvit në palestër për shkak të reshjeve të dëborës që kishin mbuluar fushën stërvitore të shkodranëve.

Kjo mund të ndikojë negativisht tek, ekipi megjithatë Vllaznia kërkon të dalë dhe mbi këto vështirësi për të bërë pikë kundër kurbinasve. Laçi në kampionat nuk është në një moment të mirë, pasi nuk fiton që prej vitit të kaluar kur mundi Lushnjën 3-1 dhe për bardhezinjtë dhe kjo do të jetë një ndeshje ku duhet të kërkojë rezultatin maksimal, pasi dhe kalendari në dy sfidat e radhës do t’i rezervojë dy prova të vështira ndaj Skënderbeut dhe Flamurtarit.

Nga mbijetesa te zona europiane. Kamza pret në shtëpi Teutën, për të konfirmuar ambiciet drejt zonës së lart të klasifikimit. Skuadra e Ndreut kërkon ti japë vazhdimësi fitores së fundjavës së kaluar në Lushnjë, por edhe të qëndrojë në garën për vendin e tretë.Pas tre fitoreve në 5 ndeshjet e fundit të luajtura, objektivi është vijimi i ecurisë pozitive, por mbi të gjitha për ta rikthyer faktorin fushë në elementin që e ka favorizuar ekipin në gjysmën e parë të sezonit, ku deri nën nëntorin e kaluar ishin të pamposhtur edhe përballë rivalëve si Skënderbeu, Kukësi e Partizani.

Supremacia në shtëpi u venit më 10 dhjetor, me disfatën 1-0 ndaj Luftëtarit, ndërsa prej asaj periudhe skuadra ka regjistruar tre humbje dhe vetëm një fitore përballë publikut të saj. Rikthimi i Zguros nga pezullimi dhe fakti që skuadra do të jetë e plot për ndeshjen e kësaj të mërkure jep garanci.Gjithsesi, momenti i vështirë i Teutës dhe fakti që durrsakët ndodhen në zonën e rënies nga kategoria nuk duhet të shërbejnë si arsye për ti nënvlerësuar.

“Djemtë e detit” kanë arritur të regjistrojnë dy barazime 1-1 në fushën e Kamzës gjatë këtij edicioni në kampionat dhe në Kupë. Madje në duelin e parë të luajtur në 1/8 e Kupës, Teuta fitoi 4-0 duke i shkaktuar skuadrës së Ndreut humbjen më të thellë sezonale.Për më tepër, pika e marrë me Flamurtarin ka rritur optimizmin në skuadrën e drejtuar tashmë nga Gentian Begeja, që pavarësisht mungesave të titullarëve Hërkaç dhe Mustafov do të kërkojë të tjera pikë mbijetese në Kamzë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje