Mateo Salvini mund të konsiderohet triumfues i zgjedhjeve në Itali. Politikani 44-vjeçar beson se problemet më të mëdha të vendit të tij në këtë moment janë emigracioni dhe ekonomia e ngadaltë. Salvini është truri pas transformimit të së djathtës ekstreme, Lega Nord, e cila e ka reduktuar emrin në Lega, me qëllimin për t’u bërë një lëvizje mbarëkombëtare.
Mbështetja e rritur për Legën u pa në zgjedhjet e së dielës, nga të cilat ajo doli partia e parë në koalicionin e djathtë, pjesë e të cilit është edhe Forza Italia e Silvio Berlusconi-t.
Ndërkohë, edhe pse populistët e Lëvizjes 5 Yjet dolën parti e parë në zgjedhje, koalicioni Salvini-Berlusconi mund të qeverisë vendin.
“Kemi të drejtën dhe detyrimin për të qeverisur”, tha Salvini të hënën. Rritja e popullaritetit të tij ka qenë më shumë një përzierje mes oportunizmit dhe huazimit të suksesit nga politikanë të tjerë të së djathtës”, thonë ekspertët e politikës.
Ai ka ngjashmëri me Nigel Farage, është armiqësor me kundërshtarët politikë në mediat sociale njësoj si Trump-i dhe ka kopjuar strategjinë e Marine Le Pen për ta kthyer një parti politike të së djathtës në një prirje kombëtare.
Por Salvini nuk ka qenë gjithmonë në të djathtën esktreme, në fakt është e kundërta. Në rininë e tij, ai ka qenë anëtar i qendrës së majtë sociale, Leoncavallo, madje edhe me Lega Nord në 1990-n konsiderohej si i majtë. Kalimi i tij te ekstremi i djathtë duket më shumë si oportunizëm.
“E gjithë politika italiane u zhvendos djathtas dhe ai e pa më të përshtatshme t’u bënte thirrje votuesve të krahut të djathtë, veçanërisht duke u fokusuar në çështjen e emigracionit. Mendoj se emigracioni u kthye në problem që në fillim të viteve 2000. Më parë, emigracioni ka qenë një çështje që nuk ishte pjesë e debatit politik. Ai u përdor në politikë dhe Salvini mendoi ta implementonte në strategjitë e tij politike”, thotë Davide Vampa, ekspert i politikës italiane në Aston University.
Çfarë personaliteti është Salvini?
“Ai përpiqet ta portretizojë veten si një njeri i thjeshtë, pak a shumë si Nigel Farage në Britani, në sensin që të krijojë idenë e një njeriu që mund ta takosh rastësisht në një pab dhe të pish një gotë me të. Përpiqet ta distancojë veten nga establishmenti politik. Në respekt të kësaj, ai është ende i lidhur me të kaluarën e tij të majtë. Ka një përzierje interesante mes diskursit të ekstremit të djathtë, por edhe afërsi me pjesën më të pafavorizuar të shoqërisë, paksa si Trump. Ka një përzierje të mesazheve antiemigrantë me retorikën social-progresive, e vendosur kjo vetëm në kontekstin italian”, thotë Vampa.
Në kohët kur Lega Nord bënte fushatë në zonën e pasur të veriut, Salvini pati thënë se italianët e jugut “vijnë erë”. Por tashmë, Lega e ka ndryshuar kursin e saj. “Armiku nuk është më jugu dhe Roma, por “armiqët e jashtëm”, në mënyrë të veçantë Bashkimi Europian dhe emigrantët. Praktikisht, ai e ka ndryshuar drejtimin e racizmit të tij. Nga racizëm ndaj jugorëve, ai është kthyer në racist ndaj emigrantëve apo atyre jashtë Italisë. Ai e ndryshoi diskursin e tij politik sepse ishte më me leverdi për të vetë”, analizon eksperti i politikës italiane.
Por politika nuk është pika ku Salvini ngjan me Trump-in. Ai ndjek modelin e Trump-it në mediat sociale. Salvini është një nga liderët italianë më të ndjekur në “Facebook” dhe nuk përton aspak t’i kritikojë kundërshtarët.
Dy vjet më parë, ai u kritikua ashpër pasi e krahasoi kryetaren e Dhomës së Ulët të Parlamentit me një kukull plastike seksi.
Vampa mendon se mediat sociale i kanë dhënë avantazh Salvinit. “Mediat sociale kanë luajtur rol të rëndësishëm në fushatën e tij, kryesisht sepse partia e tij nuk ka shumë resurse financiare. Në këtë mënyrë, media sociale është një strategji pa kosto për të siguruar audiencë të gjerë”, analizon Vampa.
Përgatiti: Gazmira Sokoli
SHUMICA E SHQIPTARE E VOTUAN SALVININ DHE BERLUSKONIN VETEM PAK PESE YJET DHE RENCIN.