Hapi i madh i “Coca-Cola”-s, hyn në terrenin e pijeve alkoolike

7 Mars 2018, 18:54Sociale TEMA

“Coca-Cola” mban emblemën e pijeve joalkolike. Në historinë e saj 130-vjeçare, kompania ka sjellë plot ide të reja për të mbetur në treg.

Por kësaj radhe duket se ka hyrë në një terren të ri. Së shpejti pritet lançimi i produktit të parë alkoolik.

Për këtë është zgjedhur Japonia, një vend ku gjendet një larmi e produkteve të “Coca-Cola”-s, me më shumë variacion sesa në Europë.

Produkti i ri do të jetë pjesë e kategorisë Chu-Hi, një pije tradicionale që ka një sasi alkooli të distiluar nga Sochu dhe ujë të gazuar, si edhe disa aroma.

“Nuk kemi qenë kurrë në kategorinë e alkoolikeve, por ky është një shembull se si të eksplorojmë mundësi jashtë fushave ku e kemi nisur fillimisht”, thotë Jorge Garduno.

Ka shumë gjasa që eksperimenti të mbetet vetëm në Japoni, nisur nga karakteristikat e tregut japonez ku këto lloj produktesh konsumohen shumë.

“Coca-Cola” ka testuar me sukses në Japoni disa produkte.

P.sh. në supermarketet japoneze mund të gjesh pije “Coca-Cola” me çaj jeshil Ayataka.

Në Itali, produktet alternative të “Coca-Cola”-s janë limituar te versionet Light dhe Zero,të cilat nuk janë dhe aq larg shijes origjinale.

Por në vende të tjera të botës, kompania ka lancuar produkte të ndryshme.

Në Meksikë, Zelandë të Re dhe Japoni, që prej vitit 2015 shitet “Coca-Cola” me limon dhe ajo me lime (një varietet i limonit).

Në Argjentinë shitet “Coca-Cola Life”, ku në vend të sheqerit, pija përmban ëmbëlsues natyral nga bima e stevias.

Ndërsa ata që adhurojnë kafenë, mund të gjejnë në Francë dhe në Europën Qendrore “Coca-Cola Blark”.

Po ashtu, versioni “Coca-Cola Cherry”, me shije qershie mund të gjendet në shumë vende të Europës dhe botës.

Një tjetër version me vanilje shitet me lokalet dhe marketet e SHBA-ve, Zvicrës, Britanisë, Kanadasë, Kinës, Rusisë, Gjermanisë, Afrikës së Jugut, Ukrainës dhe Australisë.

Versioni që mund të duket më i çuditshmi është ai i shitur në Japoni: “Coca-Cola” me shije hudhre.

Përgatiti: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje