INSTAT: Prodhimi i energjisë elektrike ra me 36.6% në 2017-ën nga thatësira

7 Mars 2018, 16:24Ekonomia TEMA

Thatësira e madhe që përfshiu vendin kryesisht në 6-mujorin e dytë të vitit 2018 uli prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet në vend. Por, ndërsa është prodhuar më pak energji elektrike, autoritetet rritën masat për uljen e humbjeve në rrjet, të cilat pësuan rënie me 5.5%.

Sipas raportit për bilancin e energjisë elektrike për vitin 2017, publikuar sot nga Instituti i Statistikave, (INSTAT) prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, gjatë 2017, është 4.525 GWh, nga 7.136 GWh energji të prodhuar në vitin 2016, duke shënuar rënie të prodhimit prej 36.6%.

Sipas INSTAT-it, me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për vitin 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (42.7%) dhe hidrocentralet private dhe koncesionare (21.3%).

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike, në vitin 2017, ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 86.3%, ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 73.9%, krahasuar me vitin 2016.

Hidrocentralet publike kanë realizuar 64.5% të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2017, nga 71.4% që realizuan në 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncesionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 35.5%, nga 28.6% që zinte në një vit më parë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në vitin 2017, rezultoi me rritje, duke arritur vlerën 3.403 GWh, nga 1.827 GWh në vitin 2016.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) llogaritet 488 GWh në vitin 2017, nga 1.869 GWh në vitin e kaluar.

Në vitin 2017, humbjet në rrjet janë 1.876 GWh, nga 1.986 GWh që ishin në 2016, duke pësuar një rënie me 5.5%. Humbjet në shpërndarje në 2017 kanë rënë 4.3%, krahasuar me vitin e kaluar.

Humbjet në transmetim kanë rënë me 16.9% dhe përbëjnë 8.4% të humbjeve gjithsej në rrjet.(ata)

2 komente në “INSTAT: Prodhimi i energjisë elektrike ra me 36.6% në 2017-ën nga thatësira”

  1. Lili says:

    Humbjet gati sa importet tona!
    Humbjet si ndodhin,e pse nuk kerkohet ku humb gjithe kjo sasi kw? Qe te zvogelohen importet,apo dikkush kamuflon shitjen e energjise EFTse me ‘humbje’ ne rrjet

  2. mirel says:

    C thatesire more? Aty eshte permbytur Shqiperia si asnjehere nga shirat. Apo shiu bie per xhepin e qeverise, per te popullit eshte thate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje